Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës të Kosovës (SBASHK), Rrahman Jasharaj, ka kritikuar mënyrën se si Ministria e Arsimit po e realizon procesin e pajisjes së nxënësve me tekste shkollore, duke paralajmëruar telashe në fillimin e vitit të ri shkollor.
Në një deklaratë për Front Online, Jasharaj ka thënë se SBASHK-u e ka kundërshtuar këtë mënyrë të shpërndarjes së teksteve, duke theksuar se e njëjta praktikë po përsëritet tash e tri vite.
“SBASHK-u e ka kundërshtuar këtë mënyrë të shpërndarjes së teksteve në librari dhe krejt mënyrën si është bërë qe tri vite. Kjo tregon se do të kemi një vit shkollorë me telashe sepse jemi afër 1 shtatorit dhe goxha procedurë duhet derisa të pajisen nxënësit me libra”, ka deklaruar Jasharaj.
Ai ka thënë se sindikata ka kërkuar që procesi të nisë me kohë dhe që komunikimi me botuesit të bëhet paraprakisht, në mënyrë që librat të jenë në shkolla para fillimit të mësimit.
