Autoriteti i Rregullatorit për Shërbimet e Ujit ka dhënë detaje lidhur me tarifat e faturave të cilit do t’i shkojnë qytetarëve dhe bizneseve më të larta që nga muaji janar. Drejtori i Departamentit të Tarifave, Refik Ramaj, deklaron se për periudhën tarifore 2026-2028, do të ketë rritje të tarifave për konsumatorët shtëpiak dhe jo-shtëpiak.
Sipas tij, tarifat për amvisëri do të rriten për 39 për qind për m3, ndërsa për konsumatorët jo-shtëpiak 29 për qind për m3 .
Ramaj në një intervistë për KosovaPress, thekson se rritja e tarifave është e ndikuar nga disa faktorë kryesorë, siç është shtrenjtimi i energjisë elektrike, zvogëlimi i normës së subvencionimit dhe inflacioni.
Ai thotë se kërkesat fillestare të kompanive për rritje të tarifave ishin edhe më të larta, deri në 100%, por janë aplikuar norma shkencore dhe kritere profesionale për të arritur te struktura e re e tarifave.
“Tarifat e vjetra për konsumatorë shtëpiak kanë qenë 0.38 centë, kurse tani do të ketë një rritje. Për procesin tarifor 2026-2028 do të ketë një rritje prej 39 për qind për amvisëri, ndërkaq 29 për qind për konsumatorët jo shtëpiak. Mesatarja e rritjes konsumatorë shtëpiak dhe jo-shtëpiak është 34 për qind. Tarifat për ujërat e ndotura, sektori shtëpiak 25 për qind, po ashtu edhe ai jo-shtëpiak, mesatarja natyrisht 25 për qind. Çfarë ka ndikuar në këtë rritje prej 34 për qind, së pari ka ndikuar rritja enorme e energjisë elektrike, e cila është 150 për qind apo 2.5 herë është rritur. Siç është e ditur në bazë të kalkulimeve tona, pjesëmarrja e energjisë elektrike në strukturën e shpenzimeve operative është 20 për qind, kur kjo shumëzohet me 150 me këtë rritjen, del 30 për qind. 30 për qind është rritja vetëm për energji elektrike….Faktori i dytë është zvogëlimi i normës ndër subvencionimit…Faktori i tretë është inflacioni”, thekson Ramaj.
Duke folur për tarifat sipas qyteteve, Ramaj tha se në Prishtinë çmimi për ujë ka kaluar nga 0.45 në 0.63 euro, ndërsa për ujërat e ndotura nga 0.08 në 0.12 euro.
