Nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Uran Ismaili, në serinë e tij “Me letra çelë”, ka folur për Ligjin për Shtetësi, duke e cilësuar si një prej skandaleve më të mëdha ndonjëherë që janë bërë nga qeverisja e Albin Kurtit.
Ismaili tha se një dispozitë e këtij ligji u hap rrugë për të marrë shtetësinë e Kosovës edhe personave që kanë qenë në Kosovë gjatë periudhës së viteve të luftës, si dhe pasardhësve të tyre, duke përfshirë, siç u shpreh ai, edhe “kolonë serbë” e pjesëtarë të aparatit dhunues të Serbisë.
“Secili kolon serb, secili kriminel, edhe ai milici që në Kosovën e vitit 1998 ishte pjesë e aparatit dhunues të Serbisë, tash ka të drejtë të marrë shtetësinë e Kosovës, po jo veç ai, por edhe pasardhësit e tij”, ka thënë Ismaili.
Ai ka kritikuar edhe zhvillimet lidhur me njohjen e pasaportave serbe për qytetarët e Kosovës nga Bashkimi Evropian, duke thënë se kjo ka ndodhur me pajtimin e institucioneve të Kosovës dhe paraqet, sipas tij, një kompromis jashtëzakonisht të rëndë për shtetin.
