Një Mercedes GLC 220D, i vitit të prodhimit 2026, i cili ishte futur në kërkim ndërkombëtar pas një rasti të dyshuar mashtrimi në Poloni, është lokalizuar nga Policia e Kosovës në një parking nëntokësor në Mitrovicë, transmeton albinfo.ch.
Sipas informacioneve të raportuara nga Sinjali, të dhënat për automjetin kishin mbërritur te autoritetet kosovare më 1 shtator, përmes Zyrës për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor – ILECU.
Bëhet fjalë për një Mercedes GLC 220D të zi, me targa polake, në pronësi të kompanisë polake “FLEX RENT” Sp. z o.o. Informacionet e siguruara nga autoritetet tregonin se vetura ndodhej në Mitrovicë, pavarësisht se ishte në kërkim ndërkombëtar.
Hetimet e Njësisë së Autokrimeve çuan në rrugën “Bedri Gjinaj”, ku automjeti u lokalizua në parkingun nëntokësor të “ARSY COMPANY”. Në atë moment, nxjerrja e veturës nga parkingu nuk ishte e mundur.
Për rastin u njoftua kompania pronare në Poloni, e cila dërgoi në Kosovë përfaqësuesin e saj, Marcin Grzegorczyk, së bashku me çelësin e automjetit. Më pas, Mercedes-i u nxor nga parkingu dhe u dërgua në Stacionin Policor Mitrovica Jug, ku po mbahet në kuadër të procedurave hetimore.
Përfaqësuesi i kompanisë polake është intervistuar në cilësinë e dëshmitarit, me asistimin e një përkthyesi të licencuar.
