Erjon Vishkulli ka rrëfyer për herë të parë momentin kur u plagos në syrin e majtë nga një plumb gome gjatë protestës. Ai tregon se ndodhej rreth 30 metra larg policisë, kur ndjeu një goditje të fortë, bëri dy hapa dhe u rrëzua në tokë. “Shkova të takoja shokët dhe do të ikja. Kisha hequr maskën e oksigjenit dhe në atë moment takova një shok gazetar. I kisha diku 30 metra larg policët, pa asnjë reagim, pa asgjë. Vetëm kur më vjen një goditje, eca rreth dy metra dhe rashë në tokë”, rrëfen ai.
Pas plagosjes, Erjoni thotë se ishte vetëm pjesërisht i vetëdijshëm, ndërsa një shok e ndihmoi duke e transportuar me makinë. Plumbi i gomës ndodhet ende në syrin e tij të majtë, ndërsa dhimbjet dhe pasiguria për rikuperimin e shikimit mbeten shqetësimi kryesor. “Vazhdoj ta kem ende plumbin e gomës në sy. Nuk e di tani të them se sa i lartë është rreziku, por e lehtë nuk është, sepse kam shumë dhimbje”, u shpreh Vishkulli, raporton JOQ Albania.
