Inspektorati Qendror i Punës ka ndaluar punimet në 13 vendpunishte në komunat e Prishtinës dhe Fushë Kosovës, pas inspektimeve të zhvilluara në kuadër të mbikëqyrjes së zbatimit të legjislacionit të punës dhe sigurisë e shëndetit në punë.
Sipas njoftimit të Inspektoratit, gjatë kontrolleve janë evidentuar shkelje të rënda të dispozitave ligjore, të cilat rrezikonin seriozisht jetën dhe shëndetin e punëtorëve.
“Gjatë këtyre inspektimeve janë konstatuar shkelje të rënda të dispozitave ligjore, të cilat paraqisnin rrezik serioz për jetën dhe shëndetin e punëtorëve”, thuhet në njoftim.
Për shkak të mungesës së masave të nevojshme të sigurisë në punë, Inspektorati ka urdhëruar ndërprerjen e menjëhershme të punimeve në 13 vendpunishte, derisa të eliminohen të gjitha parregullsitë e evidentuara.
