Kosova rrezikon të përballet me ndërprerje të energjisë elektrike edhe këtë dimër. Prodhimi vendor nuk mjafton për ta mbuluar kërkesën, ndërsa çmimet e larta të importit e vështirësojnë furnizimin e rregullt.
Qeveria i përmendi çmimet e importit dhe pasigurinë për rikthimin në punë të njësisë B1 të termocentralit “Kosova B” ndër arsyet për shpalljen e masave emergjente 60-ditore më 16 nëntor. Masat parashohin prodhimin e energjisë nga hidrocentrali i Ujmanit, sidomos në orët e pikut, kursimin e energjisë në institucionet publike dhe krijimin e një komiteti teknik për të monitoruar furnizimin.
Në të njëjtën mbledhje, Qeveria mori edhe dy vendime për tregtinë dhe importin e energjisë. Ajo ndaloi tregtimin me ndërmarrjet e lidhura me Serbinë, me përjashtim të transaksioneve që burojnë nga marrëveshjet e dialogut për energjinë. Gjithashtu, e ngarkoi Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK) të sigurojë kapacitete ndërkufitare për import gjatë dhjetorit.
Ish-ministri i Energjisë dhe Minierave, Ethem Çeku, paralajmëron se ndërprerjet e rrymës gjatë dimrit do t’i godasin veçanërisht bizneset prodhuese, që detyrohen të përdorin gjeneratorë dhe të përballen me kosto shtesë.
“Do të ketë ndërprerje të rrymës fatkeqësisht… ndërprerje të cilat do të prodhojnë kosto në fushën e ekonomisë”, tha Çeku.
Sipas Çekut, politikat energjetike deri më tani janë përqendruar te riparimet e përkohshme të blloqeve të termocentraleve “Kosova A” dhe “Kosova B”. Ai thotë se investimet në kapacitete të reja prodhuese, përfshirë ato nga dielli dhe era, kanë qenë të pamjaftueshme.
“Ne kemi rreth 5.000 megavatë hapësirë për të instaluar energji të pastër dhe i kemi të shfrytëzuar diku 2-3%”, tha ai.
Çeku ia atribuon mungesës së investimeve në prodhimin vendor edhe shpenzimet e larta për import. Sipas tij, ndërtimi i një blloku të ri me kapacitet prej 300 deri në 400 megavatësh në termocentralin “Kosova A” mund ta kishte ulur ndjeshëm nevojën për blerjen e energjisë elektrike.
Ndalimi i tregtisë me kompanitë serbe
Duke komentuar vendimin e Qeverisë së Kosovës për ndalimin e tregtisë së energjisë elektrike me kompanitë serbe, Çeku tha se nuk pret që ky vendim të ketë ndikim në çmimin e energjisë.
“Unë nuk e shoh diçka që është bërë ndonjë hap i mençur. Energjia nuk duron mekanizma apo korniza politike, është treg i hapur. Neve na nevojitet që të blejmë energji me kosto sa më të lirë për qytetarin dhe për bizneset tona”, tha ai për REL.




