Çmimet e konsumit në Kosovë janë rritur ndjeshëm gjatë muajit gusht, duke shënuar një rritje vjetore prej 7.3 për qind, krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar.
Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), vetëm brenda një muaji, çmimet u rritën për 1.3 për qind krahasuar me korrikun e këtij viti.
“Indeksi i tërësishëm i harmonizuar i çmimeve të konsumit ishte më i lartë në një mesatare prej 7,3 % në muajin gusht 2026, krahasuar me muajin gusht 2025. Inflacioni mujor ishte 1,3 % në muajin gusht 2026”, thuhet në njoftim.
Rritja vjetore e çmimeve është ndikuar më së shumti nga transporti, ku çmimet janë rritur për 21.1 për qind.
Pas transportit, rritjet më të mëdha janë regjistruar te strehimi, uji, energjia elektrike, gazi dhe lëndët e tjera djegëse, me 11.8 për qind.
“Në muajin gusht 2026, Indeksi i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit (IHÇK) është rritur me 7,3 % krahasuar me muajin gusht 2025. Rritja është ndikuar nga grupet kryesore të COICOP-it: transporti (21,1 %), strehim, ujë, energji elektrike, gaz dhe lëndë të tjera djegëse (11,8 %), restorante dhe shërbime akomodimi (5,4 %), pije alkoolike, duhan dhe narkotikë (5,1 %), shëndetësi (4,2 %), kujdesi personal, mbrojtja sociale dhe mallra e shërbime të ndryshme (3,8 %), mobilje, pajisje shtëpiake dhe mirëmbajtje rutinore shtëpiake (3,4 %), rekreacion, sport dhe kulturë (3,4 %), veshje dhe këpucë (3,0 %), ushqime dhe pije joalkoolike (2,6%) dhe informacion dhe komunikim (0,6 %)”, njofton ASK.



