Shoqata Kombëtare Shqiptare për Shpëtim në Male dhe Kërkim (ShKShMK) njofton se ditën e sotme ka ndërhyrë me urgjencë në një incident të rëndë në malin e Korabit.
Një banor vendas dhe një turist me shtetësi gjermane janë helmuar pasi kanë konsumuar gabimisht një bimë helmuese, tashmë e identifikuar nga autoritetet përkatëse. Gjendja e tyre shëndetësore është përkeqësuar me shpejtësi, duke kërkuar reagim të menjëhershëm.
Falë ndërgjegjes dhe pranisë së mendjes së njërit prej turistëve, është bërë e mundur dërgimi i koordinatave përmes rrjetit telefonik mobil. Menjëherë pas marrjes së thirrjes, dy anëtarë të ShKShMK, të cilët ndodheshin pranë zonës, janë nisur drejt vendngjarjes.
Të dy të prekurve u është dhënë ndihma e parë në terren dhe janë mbajtur në monitorim të vazhdueshëm. Megjithatë, për shkak të gjendjes së rënduar dhe rrezikut për jetën, është kërkuar evakuimi i tyre me helikopter.