Pas Degës në Pejë, edhe LDK në Lipjan në krye me Imri Ahmetin, ka kërkuar dorëheqjen e Lumir Abdixhikut si Kryetar i LDK’së, pas rezultatit të 7 qershorit, shkruan Reporteri.net.
Në reagim thuhet se Kryesia e Degës kërkon dorëheqjen e Abdixhikut, si standard të përgjegjësisë politike dhe si akt reflektimi ndaj mesazhit që qytetarët kanë përcjellë përmes votës së tyre.
“Në këtë frymë, pas një diskutimi të gjatë dhe një analize të detajuar të secilës qendër votimi në Degën e Lipjanit, si dhe të gjendjes aktuale politike dhe organizative brenda Lidhjes Demokratike të Kosovës, Kryesia e Degës kërkon dorëheqjen e Kryetarit të LDK-së, si standard të përgjegjësisë politike dhe si akt reflektimi ndaj mesazhit që qytetarët kanë përcjellë përmes votës së tyre”, thuhet në reagim.
Kryesia e Degës së LDK-së në Lipjan, në mbledhjen e mbajtur së bashku me kryetarët e nëndegëve, shpreh mirënjohjen dhe falënderimin e sinqertë për të gjitha strukturat e degës, aktivistët dhe anëtarësinë për angazhimin, përkushtimin dhe mbështetjen e dhënë gjatë procesit zgjedhor. Po ashtu, falënderojmë qytetarët e Komunës së Lipjanit për pjesëmarrjen dhe kontributin e tyre në zhvillimin e një procesi zgjedhor demokratik, të qetë dhe dinjitoz.
Në vazhdim të mbledhjes, Kryesia e Degës, së bashku me kryetarët e nëndegëve, ka analizuar rezultatin e zgjedhjeve të fundit në degën tonë.
Ndonëse vota për LDK-në në degën tonë është pothuajse e përsëritur në raport me zgjedhjet e dhjetorit 2025, duke kaluar nga 6,338 vota apo 19.40% në zgjedhjet e dhjetorit në 6,455 vota apo 23.60% në zgjedhjet e qershorit 2026, Kryesia e Degës së LDK-së në Lipjan vlerëson se ky rezultat mbetet larg pritjeve dhe angazhimit të madh të strukturave të degës.
