Drejtori ekzekutiv i Asociacionit të Komunave të Kosovës (AKK), Sazan Ibrahimi, ka kritikuar nivelin qendror për mënyrën e ndarjeve buxhetore për komunat dhe mungesën e mundësisë për rishikim të buxheteve lokale, duke thënë se kjo situatë po shkakton pasoja të mëdha në realizimin e projekteve komunale.
Në një intervistë për Ekonomia Online, Ibrahimi deklaroi se komunave tash e disa vite nuk po u lejohet rishikimi i buxhetit, gjë që sipas tij po krijon probleme të vazhdueshme në nivel lokal.
“Procesi i rishikimit të buxhetit të Republikës së Kosovës, mirëpo edhe nëpër komunat tona nuk është lejuar që disa vite. Dhe kjo po shkakton shumë probleme në nivelin lokal, sepse komunat nuk po e kanë mundësinë ligjore që ta bëjnë rishikimin e buxhetit apo vijave buxhetore, të cilat janë të destinuara për projektet e caktuara, apo për subvencione, apo për mallra dhe shërbime. Kjo është duke ndodhur që disa vite dhe për këtë normal që kryetarët përgjegjësinë e hedhin te niveli qendror, përkatësisht Ministria e Financave. Ne po shpresojmë që gjatë këtij viti, herë dokurdo që ndodh rishikimi i buxhetit të Republikës së Kosovës, t’u lejohet edhe komunave ta bëjnë rishikimin e buxhetit”, deklaroi Ibrahimi.
Ai tha se shumë projekte kanë mbetur pa u realizuar për shkak të mungesës së fleksibilitetit në menaxhimin e mjeteve buxhetore, sidomos pas marrjes së mjeteve nga komunat për shkak të vendimeve gjyqësore.
“Shumë projekte po mbesin pa u zbatuar për shkak të moslejimit të rishikimit të buxhetit si të tillë në nivelin lokal, sepse për këtë vit, për vitin 2026, buxheti i komunave është aprovuar qysh në shtator të vitit të kaluar. Mirëpo, duke parë që për shkak të vendimeve gjyqësore po u merren komunave miliona euro, atëherë po mbesin edhe disa projekte pa u zbatuar. Për këtë arsye kryetarët po mendojnë që rishikimi i buxhetit duhet të ndodhë këtë vit. Ne po shpresojmë që Qeveria e Republikës së Kosovës, pas zgjedhjeve të 7 qershorit, t’ia lejojë komunave edhe rishikimin e buxhetit”, tha ai.
Duke folur për ndarjet buxhetore për vitin e ardhshëm, Ibrahimi tha se shtimi i grantit për komunat nuk do të ndikojë në zhvillimin ekonomik lokal, pasi shumica e mjeteve do të shkojnë për paga dhe mëditje.
“Për vitin e ardhshëm, nga aspekti i grantit të përgjithshëm, komunat do të kenë shtim vetëm për 46.5 milionë euro dhe shumica e këtyre mjeteve financiare në grantet e përgjithshme do të shkojnë në paga dhe mëditje, e jo për zhvillim ekonomik lokal. Gjithashtu, kryetarët kanë vërejtur që nuk ka barazi të plotë në ndarjet buxhetore ndaj komunave nga ministritë e linjës. Kjo nuk është duke ndodhur vetëm këtë vit, por tash e disa vite radhazi dhe për këtë arsye ne si Asociacion kemi kërkuar që të themelohet granti i katërt për investime kapitale”, deklaroi ai.
