Drejtori ekzekutiv i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi, i është kundërpërgjigjur ministrit në detyrë të Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, pas deklaratave të këtij të fundit lidhur me fondet e komunave.
Krasniqi kishte deklaruar se mjetet për të cilat është akuzuar Qeveria se ua ka marrë komunave “nuk u zhdukën dhe nuk u morën nga ministria”, por janë kthyer përsëri në komuna përmes projekteve investuese. Ai po ashtu kishte thënë se 25 për qind e mjeteve të mbetura ishin orientuar në një program tjetër investimesh, për shkak të kapaciteteve të kufizuara të disa komunave.
Ibrahimi ka thënë se nuk kishte pasur ndërmend të merrej me deklaratat e ministrit, por se, meqë Krasniqi e ka përmendur sërish emrin e tij, e ka parë të nevojshme të japë sqarime.
Ai fillimisht ka korrigjuar deklarimin e Krasniqit, duke theksuar se nuk është kryetar i Asociacionit të Komunave të Kosovës, por drejtor ekzekutiv.
“Ky është një dallim elementar institucional, veçanërisht për ministrin përgjegjës për pushtetin lokal”, ka thënë Ibrahimi.
Ai ka akuzuar gjithashtu MAPL-në se në të kaluarën e ka sulmuar personalisht përmes kanaleve zyrtare të ministrisë, pasi Asociacioni kishte kërkuar sqarime për fondet e Bashkimit Evropian.
Sipas Ibrahimit, ministria e kishte akuzuar atë për “interesa private” dhe kishte aluduar se ai kishte shpresuar të përfitonte nga fondet për ekspertë, pa paraqitur prova.
“Një platformë zyrtare e një ministrie është kanal institucional dhe nuk duhet të përdoret për sulme personale ndaj individëve që kërkojnë transparencë dhe llogaridhënie”, ka deklaruar ai.
Ibrahimi ka thënë se çështja kryesore qëndron te financimi i pesë komunave fituese të Grantit të Performancës.
Sipas tij, në buxhet ishin paraparë 4 milionë euro, ndërsa për këto komuna janë ndarë vetëm 2 milionë euro nga buxheti i shtetit.
“Pse u është zvogëluar financimi pesë komunave fituese të Grantit të Performancës?”, ka pyetur ai.
Drejtori i Asociacionit ka kërkuar nga ministria të sqarojë se mbi cilat kritere janë ridestinuar mjetet dhe se si mbrohet parimi i performancës në rastet kur komunave që e kanë fituar grantin u zvogëlohet financimi.
Ai ka kundërshtuar edhe argumentin e ministrit se komunat nuk kanë pasur kapacitete për t’i shfrytëzuar fondet.
“Kush i ka vlerësuar këto kapacitete? Kur është bërë vlerësimi? Sipas cilave kritere?”, ka pyetur Ibrahimi.
Ai ka vënë në dukje edhe një mospërputhje të pretenduar në deklarimet e MAPL-së, duke thënë se në një reagim të mëhershëm ministria kishte deklaruar se komunat ishin të gatshme t’i zbatonin projektet sipas standardeve të kërkuara.
“Tani deklaroni se të njëjtat komuna nuk kanë pasur kapacitete. Këtu lind një pyetje e thjeshtë institucionale: cilës deklaratë duhet t’i besojmë?”, ka thënë ai.
Ibrahimi ka reaguar edhe ndaj krahasimit të bërë nga Krasniqi për rritjen e buxheteve komunale.




