Gjykata e të Miturve në Bolonja të Italisë ka dënuar me 17 vjet burgim adoleshentin 16-vjeçar, autorin e vrasjes së rëndë të Aurora Tilës, vajzës shqiptare 13-vjeçare që humbi jetën pasi u hodh nga ballkoni i apartamentit të saj në Piacenza, më 25 tetor 2024.
Hetimet zbuluan se i pandehuri, i cili kishte pasur një marrëdhënie sentimentale me të miturën, e kishte shtyrë nga ballkoni pas një debati, pasi vajza kishte vendosur ta ndërpriste lidhjen.
Sipas prokurorisë, pasi Aurora u përpoq të kapte kangjellat për të shpëtuar, ai e goditi në duar me gjunjë për ta detyruar të binte. Dëshmitarë në vendngjarje kanë konfirmuar versionin e ngjarjes.
Gjyqi u zhvillua me procedurë të shkurtuar, çka i dha të riut të drejtën për një ulje të dënimit me një të tretën. Prokuroria kishte kërkuar 20 vjet e 8 muaj, ndërsa mbrojtja kërkoi lirimin nga akuzat, duke pretenduar se bëhej fjalë për “një aksident” apo “një veprim të paqëllimshëm”.
Gjykata njohu të gjitha rrethanat rënduese, përfshirë edhe përndjekjen që vajza kishte përjetuar para ngjarjes, ndërsa e vetmja rrethanë lehtësuese e pranuar ishte mosha e vogël e autorit. Arsyetimi i plotë i vendimit pritet të publikohet brenda 90 ditësh.
