Në prag të shpalljes së verdiktit final nga Dhomat e Specializuara në Hagë për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin, në Prishtinë është mbajtur konferenca kombëtare “Lufta për UÇK-në”, e organizuar nga platforma qytetare “Liria ka Emër”.
Ish-ambasadori Ylber Hysa ka deklaruar se, nëse një pretendim i tillë makabër është dashur ta shokojë botën, atëherë shtrohet pyetja pse nuk e ka shokuar botën dhunimi industrial gjatë luftërave në ish-Jugosllavi.
Ai ka përmendur edhe të ashtuquajturin “safari mbi njerëz” në Sarajevë, duke pyetur pse një rast i tillë nuk është konsideruar po aq makabër sa të organizohej një gjyq ndërkombëtar.
“Dhe këtu, domethënë, është cinizmi i krejt këtij gjyqi. Sa më përket mua, pa marrë parasysh cili do të jetë vendimi më datën 16, për faktin se ky gjyq e ka zhvlerësuar veten, jo vetëm se është anakronik, por se i ka shkelur edhe rregullat profesionale për të cilat zoti Hasani do të mund të fliste më shumë sot”, ka deklaruar Hysa.




