Kalo te përmbajtja
Demos
Keni lajm?
  • Çka ka 3?
  • Lajme
  • Ndërkombëtare
  • Sport
  • Video
  • Magazine
  • Teknologji
  • Stil
  • Këndvështrime
Menyja
  • Ballina
  • Çka ka 3?
  • Lajme
  • Ndërkombëtare
  • Sport
  • Video
  • Magazine
  • Teknologji
  • Stil
  • Këndvështrime
Pamja
Demos

Gazeta Demos ngadalë por sigurt, po bëhet burim i besueshëm i informacionit, i hapur ndaj opinionit publik, duke i trajtuar të gjithë të barabartë. Gazeta Demos është shenjë identifikuese e fjalës së lirë, gjithnjë në frymën e demokracisë prej nga buron edhe emri i saj.

Rubrikat

VideoLajmeNdërkombëtareSportMagazineTeknologjiStilKëndvështrime

Demos

Rreth neshPolitika editorialeKontaktPrivatësiaKeni lajm?
Gazeta Demos SH.P.KRr. “Uran Ajeti”, 68, Prishtinëinfo@gazetademos.commarketing@gazetademos.comTel: +383 48 579 555
© 2026 Demos. Të gjitha të drejtat e rezervuara.
Lajme

Huqja e Enver Halitit për çmimet e banesave, del se kontratat i ka vulosur Ministria e Mjedisit

GD
Gazeta Demos29 shtator 2025 në 19:13
Huqja e Enver Halitit për çmimet e banesave, del se kontratat i ka vulosur Ministria e Mjedisit

Kandidati i Vetëvendosjes për Ferizaj, Enver Haliti, denoncoi një gjoja aferë të qeverisjes së Agim Aliut për shitjen e banesave publike me çmime të ulëta, por çmimi i tyre është i rregulluar me Ligj në Kuvendin e Kosovës.

Kuvendi i Kosovës e miratoi para katër vitesh plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për Shitjen e Banesave për të cilat ekziston e Drejta Pronësore.

Plotësimi i Ligjit erdhi si propozim nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, e udhëhequr nga Lëvizja Vetëvendosje.

Megjithatë, një ish-deputet i Lëvizjes Vetëvendosje, aktualisht kandidat për kryetar të Komunës së Ferizajt, Enver Haliti, me shumë mundësi nuk ka dëgjuar asnjëherë për këtë Ligj.

Të dielën, ai e ka përdorur një vendim të Komunës së Ferizajt, i cili derivon nga ky Ligj, për të ekspozuar gjoja një skandal të qeverisjes së kryetarit aktual Agim Aliu.

Haliti, në një debat televiziv mes kandidatëve për kryetar të Ferizajt, e akuzoi Aliun për shitjen e një banese në pronësi publike për një vlerë të ulët në krahasim me çmimet në treg. Bëhet fjalë për shitje të banesave për të cilat ekziston e drejta pronësore. Për prona që, në shumicën e rasteve, janë dhënë shumë vite më parë në shfrytëzim për punonjës të shtetit.

“A na tregon pra qysh 15 kontrata të shitblerjes së banesave në vlerë 6 mijë euro? 75m2 banesë e ka shitur për 6 mijë euro para një javë dite. Le të na shpjegon qysh është e mundur kjo! Le të na tregon kryetari!”, tha kandidati i Vetëvendosjes për kryetar të Ferizajt në një debat në Kanal 10 të dielën.

I bindur se zbuloi një skandal të madh, Haliti, i dënuar për shpifje nga një gjykatë e shkallës së parë në gusht të këtij viti, u bëri sërish jehonë fjalëve të tij në studio.

“75 metra katror për dy mijë euro”, theksoi kandidati i Vetëvendosjes.

Haliti i injoroi ligjet dhe aktet nënligjore në fuqi të cilat e rregullojnë çështjen e shitjes së banesave për të cilat ekziston e drejta banesore.

Ato e thonë krejt të kundërtën.

Sipas Ligjit për Shitjen e Banesave për të cilat ekziston e Drejta Pronësore, shitja e banesave publike nuk bëhet bazuar në çmimin e tregut. Çmimi për shitjen e tyre është i rregulluar me Ligj.

Këtë Ligj, të miratuar për herë të parë në vitin 2012, për herë të fundit e ka ndryshuar dhe plotësuar Kuvendi i Kosovës në vitin 2022. Këtë herë, Ligji ka shkuar në Kuvend me propozim të Qeverisë së Vetëvendosjes.

Sipas këtij Ligji, çmimi bazë për përllogaritjen e vlerës së shitjes është 100 euro për m2 dhe koeficienti i lirimit.

“Çmimi bazë për përllogaritjen e çmimit të shitjes për banesa është njëqind (100) Euro për m2”, thuhet decidivisht në paragrafin e parë të Neni 16 të Ligjit për Caktimin e Çmimit të Shitjes.

Paragrafi i dytë i këtij neni specifikon se te çmimi i shitjes hyn edhe koeficienti i lirimit, i cili “është 0.03 për çdo vit vjetërsie [të banesës]”.

Ky koeificient shërben për uljen e çmimit për 0.03 euro për m2 për çdo vit vjetërsie të banesës, që do të thotë se sa më e vjetër banesa, aq më i ulët është çmimi. Shembull: Një banesë 50 m² me 20 vjet vjetërsi do të ketë zbritje prej 60 për qind.

Kur çmimi për m2 zbatohet me koeficientin e lirimit sipas vjetërsisë, atëherë vlera prej 100 euro për m2 zbritet në 40 euro.

Pra, komuna apo institucionet që e kanë këtë kompetencë të shitjes së banesave publike apo shoqërore, janë të obliguara që të zbatojnë Ligjin për Shitjen e Banesave për të cilat ekziston e Drejta Pronësore.

Kësisoj, Ligji përjashton të drejtën banesore për bartësit e të drejtës pronërore vetëm në rastet kur banesa gjendet në ndërtesat ndaj të cilave është iniciuar procedurë e rrënimit, kur banesa gjendet në ndërtesat administrative të institucioneve publike, kur gjendet në institucionet bamirëse dhe kur ajo shfrytëzohet për baim të pensionistëve.

Shitja e banesave sipas Ligjit, çmimi 100 euro për metër katror

Sipas një raporti të Drejtorisë së Pronës, Gjeodezisë dhe Kadastratit në Komunën e Ferizajt, të majit 2025, deri në këtë periudhë komuna kishte pranuar 28 kërkesa për blerjen e banesave për të cilat ekziston e drejta pronësore.

Paparaci e ka siguruar raportin të cilin Drejtoria e Pronës ia kishte dërguar Kuvendit Komunal dhe kryetarit të komunës.

Aty thuhet se 18 kërkesa për shitjen e pronave publike, janë shqyrtuar, raporton Paparaci.

Një dosje e një kontrate të lidhur nga Komuna e Ferizajt me një bartës të së drejtës banesore, tregon se marrëveshja ështëe bazuar ekskluzivisht në Ligjin për Shitjen e Banesave për të cilat ekziston e Drejta Pronësore.

Dosja e shitjes së kësaj banese në rrugën “Rexhep Bislimi” në Ferizaj, të cilën e posedon Paparaci, dëshmon se kontrata është lidhur bazuar në Ligj.

Me sipërfaqe prej 30.59 metra katror, banesa për të cilën qytetari Mirsad Ukshini e posedon të drejtën banesore, është shitur në vlerë 3 mijë e 59 euro – sipas çmimit të përcaktuar me Ligj, pra 100 euro për metër katror.

Në kontratë bëhet e ditur se pagesa e banesës mund të bëhet edhe me këste mujore, siç e përcakton Ligji.

Shitja e banesës konfirmohet nga Ministria

Kontrata e shitblerjes së pronës publike, e lidhur mes Komunës së Ferizajt dhe qytetarit Mirsad Ukshini, miratohet nga Kuvendi Komunal dhe nga Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës.

Në korrik të këtij viti, MMPHI e udhëhequr nga Vetëvendosje vlerësoi ligjshmërinë e 9 kontratave për shitblerje të banesave për të cilat ekziston e drejta pronësore, të realizuara nga Komuna e Ferizajt.

Në këtë vendim për vlerësim të ligjshmërisë, të cilin e ka siguruar Paparaci, Ministria e Mjedisit e konfirmon se procedurat për shitblerjen e pronave janë zhvilluar në përputhje me Ligjin.

“MMPHI pas shqyrtimit të vendimit të lartcekur konstatoi se: Në bazë të Ligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Shitjen e Banesave për të cilat Ekziston e Drejta Pronësore, si dhe në përputhje me Vendimin e lartcekur, Komuna e Ferizajt ka zhvilluar procedurat ligjore në përputhje me dispozitat ligjore të këtij procesi ”, thuhet në vendimin e MMPHI.

Në përfundim, MMPHI thotë se mbetet në dispozicion të Komunës së Ferizajt për “çfarëdo sqarimi të mëtejmë lidhur me këtë vlerësim.”

ferizajVV

Të ngjashme

Rrëshqiti dhe e shkrepi armën aksidentalisht nga çanta, 20-vjeçari dyshohet se plagosi veten në një parking në Ferizaj

Rrëshqiti dhe e shkrepi armën aksidentalisht nga çanta, 20-vjeçari dyshohet se plagosi veten në një parking në Ferizaj

11:38

Më shumë nga Lajme

  • 12:05Hallka që shpëtoi Gotovinën: Çfarë nga apeli i tij mund t’i vlejë katërshes së UÇK-së?
  • 12:04Një grup motoristësh i veteranëve dhe Unionit Shqiptar nisen nga Morina drejt Prishtinës
  • 11:46Publikohet klipi i protestës së 1 Tetorit në Prishtinë
  • 11:4328-vjetori I Masakrës së Abrisë, Haradinaj: Kosova e pagoi shtrenjtë okupimin me spastrim etnik
  • 11:42Policia serbe ndalon në kufi kryetarin e Rrjetit Global të Bizneseve Shqiptare