Ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës Fatmir Humolli, në një prononcim për Gazeta Blic, ka folur për situatën e krijuar në Kuvendin e Kosovës, moskonstituimin e institucioneve dhe përgjegjësinë e deputetëve në këtë proces. Humolli ka thënë se betimi dhe nënshkrimi në Kuvend janë individuale për secilin deputet dhe se, sipas tij, përgjegjësia për mbrojtjen e shtetit është individuale.
“Në Kuvendin e Kosovës betimi dhe firma është individuale e secilit deputet. Përgjegjësia është individuale e secilit deputet për mbrojtjen e vendit tonë”, ka deklaruar Humolli për Gazeta Blic. Ai ka kritikuar deputetët për atë që e konsideron si pamundësi për të ndarë interesat partiake nga ato shtetërore.
“Siç po duket, deputetët nuk janë në gjendje me dallue partinë nga shteti. E më keq, nuk e dallojnë partinë nga individi që drejton”, është shprehur ai.Humolli ka thënë se përgjegjësia më e madhe, sipas tij, bie mbi deputetët që janë rreshtuar me Lëvizjen Vetëvendosje.
“Deputetët që janë rreshtu me VV-në janë më të shumtë dhe përgjegjësia është e këtij grupi”, ka thënë ai. Humolli ka shtuar se, sipas tij, ish-luftëtarët nuk kanë punuar mjaftueshëm politikisht me qytetarët për të ndryshuar mentalitetin e krijuar ndër vite.
“E më keq, nuk e dallojnë partinë nga individi që drejton. Kjo shihet se ne ish-luftëtarët nuk kemi punue mjaft politikisht me masën për me heq mentalitetin e robit që është kultivu me investime të armiqve tanë”, ka deklaruar Humolli. Ai ka kritikuar gjithashtu qasjen e VV-së ndaj partive të tjera politike, duke thënë se ato nuk duhet të konsiderohen si armiq.
“VV-ja nuk është e drejtë që partitë politike tjera po i konsideron sikur janë armiq. Ajo duhet me i pa drejt se të gjitha partitë janë të popullit tonë, ato shqiptare”, ka deklaruar ai. Humolli ka thënë se Vetëvendosje, sipas tij, ka dëshmuar më herët se përqendrimi i të gjitha institucioneve në duart e një partie paraqet rrezik për demokracinë.
“VV-ja kur e ka bërë Qeverinë, kur e ka pasur kryetarin e Kuvendit dhe kur e ka pasur presidentin e vet, ka dëshmuar se është rrezik për demokracinë nëse i ka të gjitha institucionet”, është shprehur ai. Sipas tij, kur opozita kërkonte sqarime për çështje me interes për qytetarët, Vetëvendosje nuk merrte pjesë në Kuvend.

