Vullnet Bugaqku nga KDI ka thënë se procedimi dhe miratimi i Projektligjit për Dhomat e Specializuara para 6 tetorit paraqet vështirësi për shkak të afateve të përcaktuara në procedurat e Kuvendit.
Duke folur në emisionin FIVE, Bugaqku ka shpjeguar se për projektligjet që kërkojnë paraprakisht opinionin e Qeverisë, ajo ka një afat prej 30 ditësh për të dhënë vlerësimin nëse projektligji është në përputhje me Kushtetutën, marrëveshjet ndërkombëtare dhe aktet tjera përkatëse.
Sipas tij, nëse opinioni i Qeverisë do të dërgohej të premten dhe do të vlerësonte se projektligji mund të procedohet në Kuvend, atëherë do të nevojitej procedurë e përshpejtuar për ta miratuar para 6 tetorit.
“Nëse eventualisht të premten vjen opinioni i Qeverisë dhe thotë që ligji mund të procedohet në Parlament, unë e shoh paksa në përputhje me Rregulloren e Kuvendit të Kosovës, e shoh edhe pak të pamundshme mënyrën e procedimit më të tutjeshëm pastaj. Sepse janë ikur afatet”, ka deklaruar Bugaqku.
Ai ka thënë se, për miratimin e projektligjit para 6 tetorit, Kuvendi do të duhej të përdorte procedurën e përshpejtuar ose të thërriste seancë të jashtëzakonshme.
“Për me miratu këtë projektligj para datës 6 tetor, duhet me hy në procedurë të përshpejtume, apo Kuvendi duhet me thirrë seancë jashtëzakonshme dhe me e përshpejtu procedurën e trajtimit të atij ligji në dy lexime, edhe në komisionet parlamentare, edhe me dy lexime”, tha ai.
