Bordi i Asociacionit të Komunave të Kosovës kundërshton deklaratat e përfaqësuesve të SBAShK-ut që ua ngarkojnë komunave përgjegjësinë për pasojat financiare të kontratave kolektive të nënshkruara në nivel qendror.
“AKK-ja dhe kryetarët e komunave gjithmonë i kanë respektuar dhe mbështetur të drejtat e punëtorëve arsimorë. Megjithatë, komunat nuk kanë kapacitete buxhetore që detyrimet financiare të këtyre kontratave t’i mbulojnë nga buxhetet e tyre, duke cenuar investimet dhe shërbimet për qytetarët”, thuhet në reagim.
Sipas AKK-së, SBAShK-u, që në kohën e negocimit dhe nënshkrimit të kontratave kolektive me Ministrinë e Arsimit, është dashur të kërkojë që financimi për zbatimin e tyre të sigurohet nga niveli qendror.
“Nuk është e pranueshme që marrëveshjet të lidhen në nivel qendror, ndërsa fatura financiare t’u kalojë komunave, të cilat nuk kanë qenë palë nënshkruese. SBASHK-u e ka ditur dhe e di se vendimmarrja për sigurimin e financimit dhe përcaktimin e vijave të posaçme buxhetore për zbatimin e këtyre kontratave bëhet në nivel qendror. Komunat nuk mund t’i krijojnë vetë mjetet financiare që kërkon zbatimi i tyre. Prandaj, pretendimi se komunat është dashur thjesht t’i planifikonin këto shpenzime shpërfill mënyrën se si sigurohet dhe miratohet financimi i tyre”.
