Enver Hoxhaj nga PDK-ja në ”Click” të RTV21 ka reaguar ashpër ndaj deklarimeve të Vetëvendosjes lidhur me Listën Serbe dhe vendimet e KQZ-së, duke e akuzuar VV-në për manipulim të opinionit publik dhe për krijimin e një diskursi të rrezikshëm politik.

Ai theksoi se Qeveria Kurti ka pasur gjashtë vite në dorë për të vepruar ndaj Listës Serbe, nëse me të vërtetë e konsideron atë organizatë terroriste, dhe se taktikat aktuale po dëmtojnë sistemin demokratik. Sipas tij, vendosja e qytetarëve dhe partive politike në kategori “patriotësh” dhe “tradhtarësh” është e papranueshme.

“Nëse VV mendon se Lista Serbe është një organizatë terroriste dhe është në udhëheqje të qeverisë, atëherë unë kam qenë në udhëheqje të qeverisë dhe ka mundur që në këto gjashtë vite të qeverisjes ta ndalojë punën e Listës Serbe. Nëse ata mendojnë se KQZ-ja është një sistem i padrejtë dhe se sistemi ynë kushtetues është shumë i padrejtë, mund të heqin dorë nga zgjedhjet. Por kjo lojë taktike për të manipuluar opinionin politik, sikur që e kemi parë edhe në Kuvendin e Kosovës, për mua dhe për PDK-në është e papranueshme dhe prandaj kolegët kanë zgjedhur formën e abstenimit. Ndarja e vendit në ‘tradhtarë’ dhe ‘patriotë’, në ata që punojnë kundër shtetit të Kosovës dhe në ata që punojnë për Kosovën, është absurde.”, tha Hoxhaj.