Ish-ministri i Jashtëm dhe deputeti i PDK-së, Enver Hoxhaj, ka deklaruar se themelimi i Gjykatës Speciale ka qenë një gabim fatal i klasës politike të Kosovës.
Në një intervistë në Hoxhaj ka folur për rrethanat që çuan në themelimin e Gjykatës Speciale, presionin ndërkombëtar ndaj Kosovës dhe pritshmëritë që, sipas tij, nuk u përmbushën nga ky institucion.
Ai ka deklaruar se fillimisht ndërkombëtarët kishin argumentuar se raporti i Dick Martyt kishte krijuar një situatë të rëndë për Kosovën, ndërsa më pas kishte pasur presion për themelimin e Gjykatës Speciale, me paralajmërimin se në të kundërtën ajo do të themelohej nga OKB-ja.
“Fillimisht ka pas shpjegim nga ndërkombëtarët, pastaj presion për themelimin e Gjykatës Speciale. Shpjegimi ka qenë i natyrës që raporti i Dick Martyt ka prodhu re të zeza mbi Kosovën, këto re të zeza duhet të hiqen sepse janë në dëm të vendit. Pastaj, ka pas presion ndërkombëtar që nëse nuk e themeloni Gjykatën ju, e themelon OKB-ja. Kjo ka qenë temë serioze. Por, nuk do të ishte më keq sesa që është tani. Të paktën gjykatësi nuk kishte thënë ‘Në emër të popullit të Kosovës”, të paktën nuk ish themelu me vendimin e Kuvendit të Kosovës.”, tha Hoxhaj.
I pyetur nëse themelimi i Gjykatës Speciale kishte qenë gabim, Hoxhaj ka deklaruar se klasa politike duhet ta pranojë përgjegjësinë për vendimin e marrë në atë kohë.
“A ka qenë gabim themelimi i Gjykatës? Mendoj që ka qenë gabim fatal dhe kushdo që mendon që ka qenë ndryshe dhe sot bëjnë përpjekje që ta arsyetojnë. Nëse z. Thaçi, Veseli, Selimi, Krasniqi, kanë shpjegim tjetër unë e kuptoj, por ne si klasë politike duhet të themi që ka qenë gabim themelimi i gjykatës.”, u shpreh ish-ministri i jashtëm.




