Partisë Demokratike të Kosovës nuk i duhet asgjë pozita e kryetarit të Kuvendit, thotë deputeti i kësaj partie, Enver Hoxhaj. Duke komentuar ofertën e kryeministrit Albin Kurti për zgjedhjen e presidentit, ai deklaron se lideri i LVV-së është joserioz në këtë proces dhe se po e dërgon vendin në zgjedhje të reja. Sipas tij, përmes kësaj po dëshmohet se Kurti nuk dëshiron të qeverisë, derisa e sheh se Kosova po hyn në një fazë të vështirë ku kriza politike mund të thellohet edhe më tej pas zgjedhjeve të reja. Kurti në fillim të kësaj jave i parashtroi dy oferta PDK-së dhe LDK-së. Kësaj të parës i ofroi postin e kryetarit të Kuvendit në këmbim të zgjedhjes së presidentit, ndërkaq LDK-së bashkëqeverisje ose kryeparlamentarin, por të dyja propozimet nuk u pranuan nga dy partitë, pasi insistuan të diskutojnë vetëm për çështjen e presidentit.
Hoxhaj në një intervistë për KosovaPress thotë se për PDK-në zgjedhja e presidentit tashmë është çështje e mbyllur, ani pse kanë mbetur edhe pesë ditë afat kushtetues për të gjetur një zgjidhje.
“Këshilli drejtues i Partisë Demokratike të Kosovës ka marrë vendim që për neve si proces është i mbyllur. Përpjekja ka qenë serioze, por mendoj që zoti Kurti s’e ka seriozisht me këtë proces, meqë në dy muajt e parë të këtij viti, në janar dhe në shkurt, kanë ndodhur vetëm dy takime me zotërin Hamza. Gjatë kësaj kohe, kur Gjykata Kushtetuese na dha edhe një afat shtesë, nuk ka pasur ndonjë takim serioz, ka pasur vetëm komunikim përmes SMS-ave. Prandaj, nëse ne shkojmë në zgjedhje, në zgjedhje nuk shkojmë se Partia Demokratike e Kosovës dëshiron ta çojë vendin në zgjedhje, por pse zoti Kurti nuk ka vullnet të qeverisë, të udhëheqë, të ketë dialog serioz me partitë politike dhe ta zbatojë atë pjesën e Kushtetutës se çfarë thuhet që presidenti zgjidhet si rezultat i një dialogu në mes të forcave politike”, thotë ai.
Duke e konsideruar ofertën e Kurtit si joserioze për postin e kryeparlamentarit, ai thotë se kjo pozitë nuk i duhet aspak PDK-së.
Sipas tij, thelbësore për PDK-në është që LVV-ja mos t’i ketë tri pozitat udhëheqëse të shtetit, e veçmas presidentin, të cilin e konsideron si figurë që reflekton unitetin e qytetarëve.
“Gjë s’na vyn neve pozita e kryeparlamentarit. Ne duam të japim kontributin për ta zgjidhur presidentin dhe për ta ushtruar rolin kushtetues si parti politike. Vendi ka nevojë që ta ketë një figurë, e cila e reflekton unitetin e qytetarëve, e cila ka integritet, e cila mund ta përfaqësojë vendin brenda dhe jashtë. Edhe kur je në opozitë, e ke mandat që duhet me udhëheqë vendin, duhet me kontribuar. Dikush tjetër ka marrë mandat me qeverisë, por ai që ka marrë mandat me qeverisë dhe ne që kemi marrë mandat opozitar, të gjithë ne e udhëheqim vendin. Por neve gjë nuk na vyn pozita e kryetarit të Kuvendit, se nuk e kemi një shqetësim të tillë. Ne kemi një shqetësim më fundamental në këtë vend: se cili është sistemi ynë politik dhe sa është funksionimi demokratik i institucioneve, a po e ruajmë karakterin demokratik të këtij vendi dhe se si do të duhej ta shmangim një situatë që një parti e vetme politike mos t’i ketë të tri pozitat udhëheqëse në qeverisje. Do të ishte jo në interes të qytetarëve, jo në interes të shoqërisë, jo në interes të Republikës së Kosovës. Përndryshe, ne nuk marrim pjesë në një proces të tillë për ta marrë pozitën e kryetarit të Kuvendit, sepse aspak nuk i duhet Partisë Demokratike të Kosovës pozita e kryetarit të Kuvendit”, deklaron Hoxhaj.
Në këto rrethana, Hoxhaj thotë se vendi po shkon në zgjedhje të reja, siç shton për shkak të kryeministrit Albin Kurti.


