Kandidati i PDK-së për deputet, Enver Hoxhaj, ka publikuar një video të fuqishme elektorale, në të cilën zgjedhjet e 7 Qershorit i cilëson si moment vendimtar për të ardhmen e Kosovës.
Në mesazhin e tij, Hoxhaj thotë se këto zgjedhje nuk janë për tema të zakonshme politike, por për drejtimin që do të marrë shteti në vitet e ardhshme.
“7 Qershori është Dita D. Dita kur e mbrojmë demokracinë, ose dita kur hapet rruga drejt diktaturës”, deklaron ai në video.
Hoxhaj akuzon qeverinë aktuale për krijimin e asaj që e quan “autokraci elektorale”, duke thënë se vendi ka mbetur pa Kuvend funksional, pa President dhe me institucione në krizë.
“Miliona të ndara pak ditë para zgjedhjeve nuk janë ndihmë. Janë frikë nga humbja. Shteti nuk guxon të bëhet vegël e një partie politike”, thekson ai.
Sipas tij, pushteti po përdor resurset shtetërore për interesa zgjedhore dhe po cenon parimin e garës së barabartë demokratike.
