Komuniteti arbëresh në Itali vazhdon të mbetet një nga shembujt më unikë të mbijetesës kulturore dhe gjuhësore në Evropë. Në edicionin e 31-të të Manifestimit Kulturor Folklorik për Vlerësimin e Pakicave Gjuhësore, të mbajtur në Vena di Maida, Kalabri, prania e diplomacisë shqiptare rikonfirmoi rëndësinë strategjike dhe shpirtërore që këto komunitete kanë për shtetin amë. Aktiviteti i organizuar nga Shoqata Kulturore “Progetto Caraffa” bëri bashkë autoritete vendore italiane, figura të shquara të botës akademike dhe përfaqësues të lartë të qeverisë shqiptare, për të kremtuar një trashëgimi që sfidon shekujt, shkruan rtsh.al
Ruajtja e identitetit kombëtar në zemër të Kalabrisë
Gjatë këtij manifestimi, Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, vlerësoi me nota emocionale kontributin e jashtëzakonshëm të familjeve arbëreshe, të cilat përmes strukturave komunitare kanë arritur të mbajnë gjallë gjuhën dhe zakonet e të parëve.
Duke ndarë mbresat nga ky takim në jug të Italisë, ministri Hoxha u shpreh:
“Një ditë vërtet e veçantë dhe emotionuese me arbëreshët në Vena di Maida, në zemër të Kalabrisë, një nga ato hapësira në Itali ku historia shqiptare vazhdon të jetojë e të flasë prej më shumë se pesë shekujsh, ku gjuha, traditat dhe identiteti ynë kombëtar janë ruajtur me përkushtim të jashtëzakonshëm nga brezi në brez.”
Ai shprehu një mirënjohje të thellë institucionalizimi për figurat akademike të pranishme, si Prof. Francesco Stirparo, Prof. Cettina Mazzei dhe Prof. Francesco Altimari, duke i cilësuar ata si rojtarë të një pasurie që i kalon kufijtë kombëtarë:
“Shpreha mirënjohjen time më të thellë për çdo individ dhe familje arbëreshe që e ruan këtë trashëgimi me aq dashuri, krenari dhe përkushtim. Arbëreshët nuk janë vetëm ruajtës të kujtesës sonë historike; ata janë një pjesë e gjallë e kommit shqiptar dhe një pasuri e çmuar e kulturës evropiane.”
