Deputeti i LDK’së, Avdullah Hoti, ka thënë se Gjykata Kushtetuese nuk ka nevojë dhe nuk duhet të zgjidhë çdo problem politik, por vetëm problemet që i ka krijuar vetë.
“Gjykata Kushtetuese nuk ka nevojë dhe nuk duhet të zgjidhë çdo problem politik. Ajo duhet të zgjidhë, para së gjithash, ato probleme politike që i ka krijuar vetë.”
Ai ka thënë se me aktgjykimin e vitit 2014, Kushtetuesja e ka kurthuar procesin e konstituimit duke shkelur dy parime fundamentale të demokracive parlamentare.
“Me aktgjykimin e vitit 2014, i cili citohet edhe në aktgjykimin e datës 26 qershor 2025, duke ia njohur partisë së parë të dalë nga zgjedhjet të drejtën absolute për propozimin e kandidatit për kryetar të Kuvendit, Gjykata Kushtetuese e ka kurthuar procesin e konstituimit të Kuvendit duke shkelur dy parimet fundamentale të demokracive parlamentare.”
Sipas tij bëhet fjalë për shkeljen e parimit të dominimit të shumicës dhe parimin kushtetues sipas të cilit mandati i deputetit është i lirë dhe i pakushtëzuar.
“E para, ka shkelur parimin e dominimit të shumicës. Si rregull bazë, në demokracitë parlamentare, duke vepruar në kuadër të frymës kushtetuese, shumica gjithmonë vendos. Aktgjykimi i vitit 2014 e ka shkelur këtë parim, duke ia dhënë të drejtën vetëm partisë së parë të propozojë kryetarin e Kuvendit, pavarësisht se ajo parti nuk e ka siguruar shumicën parlamentare. Si rezultat, mund të jenë 80 deputetë – mjaftueshëm për të ndryshuar edhe Kushtetutën – që mbështesin një kandidat të caktuar, por e kanë të pamundur të votojnë pa vullnetin e pakicës për të propozuar atë kandidat. E dyta, aktgjykimi i vitit 2014 ka shkelur parimin kushtetues sipas të cilit mandati i deputetit është i lirë dhe i pakushtëzuar. Duke ia njohur të drejtën absolute partisë së parë për të propozuar kandidatin për kryetar të Kuvendit, Gjykata Kushtetuese e ka cenuar këtë parim kushtetues. Deputeti nuk është i lirë në ushtrimin e mandatit pasi mund të votojë vetëm propozimin që vjen nga partia e parë.”
