Marrëveshje të pazbatuara, dialog i bllokuar politik dhe kritika të reja nga Bashkimi Evropian.
Në raportet e sivjetme të progresit, Komisioni Evropian kritikon Kosovën dhe Serbinë për mospërmbushjen e obligimeve në procesin e normalizimit të marrëdhënieve.
Por, edhe vetë dialogu që ndërmjetëson Brukseli nuk ka shënuar përparim të dukshëm politik prej më shumë se tre vjetësh.
Takimi i fundit i nivelit të lartë u zhvillua në shtator të vitit 2023.
Që atëherë, bisedimet kanë vazhduar në nivel kryenegociatorësh, por pa i afruar palët drejt një marrëveshjeje të mundshme.
Prishtina e kushtëzon rikthimin në takimet e nivelit të lartë me dorëzimin e Millan Radoiçiqit, ish-politikanit serb të Kosovës që mori përgjegjësinë për sulmin e armatosur në Banjskë, në shtator të vitit 2023.
Beogradi, ndërkaq, këmbëngul në themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.
Njohës të procesit vlerësojnë se BE-ja ka ende instrumente politike dhe financiare për t’i nxitur palët drejt normalizimit.
Por, mospajtimet brenda bllokut dhe mungesa e një strategjie të qartë, sipas tyre, e kanë kufizuar ndikimin e saj.
Donika Emini, nga Grupi Këshillues për Politikat e Ballkanit në Evropë, thotë se Brukseli mund të përdorë më shumë stimuj për të dyja vendet, krahas masave ndëshkuese.
Për Kosovën, ajo përmend avancimin e aplikimit për anëtarësim në BE, përfitimet nga Plani i Rritjes dhe mbështetjen financiare e politike për integrim.
Për Serbinë, mundësitë lidhen kryesisht me negociatat e anëtarësimit.
“Hapja dhe mbyllja e kapitujve negociues, qasja në fondet evropiane, përfitimet nga Plani i Rritjes dhe avancimi i përgjithshëm në procesin e integrimit mund të kushtëzohen shumë më qartë me përparimin në reformat demokratike, sundimin e ligjit dhe normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën”, thotë Emini për Radion Evropa e Lirë.
Edhe Toby Vogel, nga Këshilli për Demokratizimin e Politikave në Bruksel, vlerëson se BE-ja ka hapësirë për të vepruar, por kërkon një angazhim të mirëfilltë të Serbisë në dialog dhe një perspektivë reale për arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse, ligjërisht të detyrueshme.
Paralelisht, sipas tij, Brukseli duhet ta avancojë aplikimin e Kosovës për anëtarësim, i cili ka mbetur pa u shqyrtuar që nga dhjetori i vitit 2022.
“Është e tmerrshme që aplikimi i Kosovës për anëtarësim në BE gjendet prej vitesh në sirtarët e Brukselit dhe Komisioni nuk e adreson. Askush nuk mund të më bindë se, me vullnetin e duhur politik, nuk mund të gjendet një zgjidhje kreative që t’i lejojë një shteti, të cilin nuk e njohin të gjitha vendet anëtare, të paktën ta nisë procesin e anëtarësimit”, thotë Vogel.
Radio Evropa e Lirë iu drejtua Bashkimit Evropian me pyetje për instrumentet që ka në dispozicion për ta zhbllokuar dialogun, mundësinë e përdorimit të tyre dhe planet për rifillimin e takimeve të nivelit të lartë mes Kosovës dhe Serbisë, por nuk mori përgjigje.
A mjaftojnë stimujt financiarë?
Për Eminin, vetëm premtimi për fonde dhe asistencë financiare nuk mjafton për t’i bindur palët të angazhohen seriozisht.
BE-ja tashmë ka Planin e Rritjes për Ballkanin Perëndimor, i cili parasheh mbështetje financiare në këmbim të reformave.
Angazhimi konstruktiv në normalizimin e marrëdhënieve është kusht edhe për Kosovën, edhe për Serbinë.
Por, sipas Eminit, përvoja e vitit 2013 dëshmon se stimujt politikë mund të kenë ndikim më të madh.
Pas Marrëveshjes së parë të Brukselit, Serbisë iu hap rruga drejt negociatave për anëtarësim, ndërsa Kosova përparoi drejt Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit.
“Mendoj se kjo logjikë duhet të rikthehet, por në një mënyrë më të qëndrueshme dhe më substanciale: përparimi real në integrimin evropian duhet të shoqërohet me angazhim real në dialog dhe zbatim të marrëveshjeve”, vlerëson ajo.
Emini kërkon përfshirje më aktive të shteteve kryesore të BE-së dhe një strategji që përcakton qartë se çfarë përfiton secila palë nëse i përmbush obligimet dhe me çfarë pasojash përballet nëse nuk i zbaton ato.
Vogel, megjithatë, e vë në pikëpyetje nëse marrëveshjet ekzistuese mund ta çojnë procesin drejt një zgjidhjeje përfundimtare.
“Më duket se BE-ja i ka humbur levat e ndikimit gjatë viteve të fundit”, thotë ai.
“Edhe nëse këto marrëveshje zbatohen nesër, a na sjellin vërtet më afër marrëveshjes përfundimtare? Nuk jam i sigurt”.
Çfarë sollën 15 vjet dialog?
Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë nisi në mars të vitit 2011, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, fillimisht për çështje teknike e më pas edhe politike.
Gjatë këtyre viteve, palët arritën marrëveshje për lëvizjen e lirë, njohjen e dokumenteve, regjistrat civilë, doganat, energjinë dhe telekomunikacionin, disa prej të cilave janë zbatuar plotësisht ose pjesërisht.
