Fatos Nano ndërroi jetë të premten, në një prej spitaleve private në Tiranë ku ishte i shtruar prej shumë ditësh.
Të dielën, në Pallatin e Kongreseve, do të mbahen homazhet në nderim të ish-kryeministrit të Shqipërisë, shkruan A2.
Homazhet do të fillojnë prej orës 08:30 në Pallatin e Kongreseve, ndërsa trupi i Fatos Nanos do të niset në orën 12:05 nga Pallati i Kongreseve për në banesën e fundit.
Më poshtë, detajet e protokollit shtetëror për ceremoninë e së dielës:
07:45 – Marrja e trupit të të ndjerit nën kujdesin e Shtetit
Eskorta ceremoniale e përbërë nga pararoja, automjeti funeral, motoçiklistët dhe automjete të tjera utilitare për transportin e familjarëve, vendoset pranë banesës ku prehet trupi i të ndjerit.
Një njësi prej 8 oficerësh në uniformë parade të Gardës së Republikës, shoqëruar nga agjentët e paracaktuar të Protokollit, marrin në dorëzim arkivolin brenda në mjedisin ku ndodhet. Arkivolit i vendoset sipër flamuri kombëtar. Oficerët ceremonialë mbajnë arkivolin (3×3), të paraprirë nga oficeri që jep komandën.
Një oficer ceremonial i dedikuar mban jastëqet me Kordonin e Madh me Yll të Mirënjohjes Publike dhe me dekoratat e tjera. Njësia vendos arkivolin në automjetin funeral, së bashku me jastëqet me dekoratat. Pasi verifikohet që çdo gjë është gatitur denjësisht, njësia vendoset në rresht dhe nderon, ndërkohë që eskorta niset e udhëhequr nga pararoja e Gardës, Protokollit dhe motoçiklistët, ndjekur nga mjetet e transportit të familjarëve (vënë në dispozicion nga Shteti).
08:00 – Nisja e eskortës funebre drejt Pallatit të Kongreseve
08:20 – Mbërritja e eskortës në Pallatin e Kongreseve
Eskorta ndalet në bulevard, përpara trotuarit, duke lënë automjetin funeral në qendër, përballë me portat e Pallatit.
Në sheshin përpara Pallatit, në anën e djathtë, është rreshtuar Truproja e Nderit e Forcave të Armatosura në formatin uniform ose interarm. Në të majtë, përballë me Truprojën e Nderit, akomodohet regjia, kameramanët dhe fotografët që do të pasqyrojnë sekuencën në media.
Në fasadën e Pallatit të Kongreseve vendosen dy banera me shkrimin: “Fatos Nano 1952–2025 – Homazh Kombëtar”.
Nga sheshi e deri në hyrjen e Pallatit vendoset një tapet i kuq. Në shkallët e pallatit janë vendosur ushtarët ceremonialë të Gardës së Republikës (12 – 6×6), të cilët nderojnë në unison.
Një njësi prej 7 oficerësh të Truprojës së Nderit të Forcave të Armatosura nxjerr arkivolin nga automjeti funeral (3×3), paraprirë nga oficeri komandues dhe ai që mban jastëkun me Kordonin e Madh. Ngjiten shkallët dhe arkivoli vendoset në podin prej kadifeje të zezë, në Hollin e Pallatit të Kongreseve.
Familjarët ndjekin kortezhin. Gjatë kalimit të kortezhit, Truproja e rreshtuar qëndron për nder armë. Nuk luhet asnjë muzikë.
Kur mbërritet brenda Hollit, familjarët presin sa të sistemohet arkivoli dhe më pas, të ndihmuar nga Protokolli, zënë vendet e tyre përballë të ndjerit, në anën e majtë të sallës.
Në anësoret e sallës vendosen dy ekrane LED ku shfaqen fotografi dhe imazhe video të të ndjerit. E gjithë salla është e mbuluar me tapet të zi dhe me perde të zeza.
Jastëqet me dekorata vendosen në një vend të dedikuar, pranë fotografisë me përmasa të mëdha të të ndjerit. Një Libër ngushëllimesh vendoset në të majtë të hyrjes së Hollit.
08:30 – Homazhet publike
Itinerari i homazheve fillon nga hyrja qëndrore e Pallatit të Kongreseve. Rreshtimi hyrës për homazh përvijohet në korsinë e djathtë të shëtitores qëndrore, ndërsa ai dalës në korsinë e majtë.
Gjithsecili, përpara arkivolit, bën një përkulje të kokës. Më pas ngushëllon familjarët dhe largohet.
Buqetat me lule dhe kurorat mund të vendosen përkohësisht pranë arkivolit. Punonjësit e DSHQ dhe Protokollit kujdesen që mjedisi të mos mbingarkohet, ndaj herë pas here zhvendosin një pjesë të tyre pranë hyrjes, majtas.
Në çdo rast, pranë podit mbahen gjithmonë kurorat dhe buqetat e familjarëve dhe të Kryeministrit. Dy oficerë ceremonialë qëndrojnë gjithmonë në gatishmëri për të shoqëruar autoritetet e larta të shtetit gjatë homazheve dhe vendosjes së kurorave të tyre.
Protokolli i Shtetit përcakton rast pas rasti se kujt i njihet kjo e drejtë përveç krerëve të Shtetit, Qeverisë dhe Trupit Diplomatik të akredituar në Republikën e Shqipërisë.
Gjatë homazheve publike, në sfond vijon transmetimi i muzikës funebre.
