Christopher Hill, ish i dërguari special i Shteteve të Bashkuara të Amerikës po dëshmon në Gjykatën Speciale në rastin e ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe ish-krerëve tjerë të UÇK-së.
Për herë të parë, për Kosovën tha se u angazhua në maj të vitit 1998. Këtë tha se ia kërkoi Sekretarja e atëhershme amerikane e Shtetit, Medeleine Albright.
“Që në fillim fare, unë jam përpjekur që me kolegët dhe Departamentin amerikan të Shtetit të ndërtonim një plan autonomie, në mënyrë që rikthehej autonomia e Kosovës dhe që Kosova të kishte qeverisjen e saj”, tha ai.
Në palën serbe, ai tha se fliste me Sllobodan Millosheviqin, ndërsa në Kosovë tha se ishte “sfidë e madhe” të gjenin vetëm një person.
“Kjo në atë kohë ka qenë një sfidë e madhe. Në disa momente ishte e vështirë që të gjenim njerëzit që të flisnin me autoritet. Problemi nuk ishte të gjendej dikush që kishte një mendim, por që kishte autoritet”, tha ai.
“Një prej tyre ishte Ibrahim Rugova. Ai ishte udhëheqës, edhe pse ishte një pozitë joformale”, tha Hill.
Ai u pyet dhe kujtoi takimin ndërmjet Rugovës dhe Millosheviqit. Kjo, Rugovës tha se iu kërkua nga i dërguari special i SHBA-së për Ballkanin, Richard Holbrooke.
