Policia në Austri u ka kërkuar njerëzve të jenë vigjilentë pasi një mostër e ushqimit për fëmijë HiPP u gjet se përmbante helm për minjtë.
Policia në rajonin lindor të Burgenland tha se kavanozi i helmuar me pure karrote dhe patate ishte raportuar nga një klient dhe se foshnja e tyre për fat të mirë nuk e kishte konsumuar ushqimin.
Me sa duket, kavanozi ishte “manipuluar”, tha policia, shkruajnë mediat e huaja .
Autoritetet besojnë se të paktën një kavanoz tjetër i helmuar është në qarkullim dhe kanë lëshuar udhëzime se si të dallohen “kavanozët e manipuluar”.
Ata nuk kanë konfirmuar se rastet përfshijnë një përpjekje të dyshuar për zhvatje.
Por deklarata e policisë theksoi se paralajmërimi kishte ardhur nga hetuesit gjermanë dhe kavanoza të manipuluar ishin sekuestruar gjithashtu në Republikën Çeke dhe Sllovaki.
Të shtunën, HiPP tërhoqi të gjithë gamën e saj të pureve të kavanozave të shitura në supermarketet Spar në Austri, duke thënë se konsumimi i tyre mund të jetë potencialisht “kërcënues për jetën”.
Kompania me seli në Gjermani tha se tërheqja e kavanozave të ushqimit për fëmijë në Spar Austria “nuk ishte për shkak të një defekti produkti ose cilësie nga ana jonë” – dhe se kavanozët kishin dalë nga fabrika e saj në “gjendje të përsosur”.
“Tërheqja lidhet me një akt kriminal që po hetohet nga autoritetet”, tha ajo në faqen e saj të internetit.
