Aidan Hehir, profesor i marrëdhënieve ndërkombëtare në Universitetin e Westminsterit, ka kritikuar Gjykatën Speciale dhe mënyrën se si, sipas tij, po trajtohen ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Hehir ka thënë se ish-presidenti Hashim Thaçi nuk mund të paraqitet si pjesëtar i rëndomtë i UÇK-së, duke theksuar pozitën që ai kishte dhe rolin që më pas mori në institucionet e Kosovës. Sipas tij, Thaçi është i lidhur ngushtë me identitetin politik dhe shtetëror të Kosovës, ashtu si edhe tre ish-krerët e tjerë të UÇK-së që kanë reputacion të rëndësishëm.
“E dini, Hashim Thaçi nuk ishte thjesht një ushtar i rangut të ulët në UÇK. Ai ishte dikush që mbante një pozitë shumë të lartë në organizatë. Është dikush që më pas u bë kryeministër, ministër i Jashtëm dhe president i Kosovës. Pavarësisht nëse ju pëlqen apo jo, ai është i lidhur ngushtë me identitetin e Kosovës. Këto katër figura – jo vetëm Thaçi, por edhe tre të tjerët – gëzojnë një reputacion të madh në Kosovë dhe konsiderohen, me të drejtë sipas mendimit tim, si heronj për shkak të ngjarjeve të viteve 1998 dhe 1999. Të kthehesh kundër tyre, t’i paraqesësh heronjtë kombëtarë si kriminelë apo si njerëz fajtorë për krime lufte, është diçka që asnjë vend që e respekton veten në botë nuk do ta toleronte kurrë”, ka thënë ai në “Interaktiv” në KTV.
Hehir ka krahasuar historinë e vendit të tij, duke deklaruar se irlandezët nuk do të lejonin kurrë që luftëtarët e tyre të gjykoheshin nga të huaj.
“Siç e përmenda, unë jam irlandez. Njerëzit tanë, ushtarët tanë që luftuan kundër shtypjes, natyrisht që gjatë asaj lufte mund të kenë bërë gjëra që nuk ishin ligjore apo morale. Por ne kurrë nuk do të kishim lejuar që njerëzit tanë të gjykoheshin nga të huaj dhe të shpalleshin fajtorë për pjesëmarrje në një ndërmarrje të përbashkët kriminale. Shtetet e Bashkuara u themeluan nga njerëz që morën armët kundër qeverisë britanike. Shumë vende në mbarë botën janë krijuar nga figura rebele që luftuan heroikisht kundër shtypjes dhe që nuk e bënë këtë gjithmonë në mënyrën më morale apo më të pastër”.
Hehir e ka cilësuar si “turp të madh” përdorimin e materialeve të inteligjencës serbe në proceset gjyqësore ndaj ish-krerëve të UÇK-së. Ai ka argumentuar se Gjykata Speciale është gjykatë e huaj, e cila, sipas tij, i është imponuar Kosovës.
“Por që një gjykatë e huaj – dhe në fakt kjo është ajo që përfaqëson kjo gjykatë, një gjykatë e huaj që iu imponua Kosovës – t’i shpallë ata fajtorë dhe të përdorë materiale të inteligjencës serbe gjatë gjykimeve kundër këtyre figurave, ky është një turp i madh”, ka theksuar ai.
Ai ka theksuar se kjo gjykatë u krijua për ta kënaqur Serbinë.
“Është një shuplakë në fytyrë për Kosovën. Sa i përket idesë se drejtësia duhet të vihet në vend, unë pajtohem plotësisht me të, por jo përmes kësaj gjykate; arsyeja e vetme e krijimit të saj ishte për të kënaqur Serbinë. Serbia udhëhiqet nga një njeri që ka qenë ministër i propagandës së Millosheviçit; është një vend që në asnjë mënyrë apo formë nuk ka kërkuar falje dhe nuk ka bërë shlyerje për fushatën gjenocidale që kreu kundër popullsisë civile shqiptare në vitet 1998 dhe 1999”.




