Ish-deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu, i ka kërkuar Lëvizjes Vetëvendosje që të tregojë se kush, sipas tij, ishin deputetët e saj që financuan raportet shpifëse kundër UÇK-së, e të cilat thotë se shërbyen si bazë për themelimin e Gjykatës Speciale.
Haxhiu po ashtu i kërkoi VV-së të përgjigjet se “sa është numri i zyrtarëve dhe anëtarëve të LVV-së që dëshmuan në Hagë”, kundër udhëheqësve të UÇK-së.
“Pse Albin Kurti asnjëherë nuk i vizitoi të akuzuarit në Hagë, përfshirë as ish-shefin e grupit parlamentar të partisë së tij? A ka qenë Kurti në dijeni, apo ka shtyrë vetë njerëzit e tij të punojnë kundër UÇK-së, duke bashkëpunuar me organizata të huaja që përpiluan raportet kundër çlirimtarëve tanë?”,
“Çfarë qëllimi kishte takimi i Albin Kurtit më 17 janar 2004, me vëllezërit Boban e Golub Donqiq në Binqë, njëri shef i BIA-s e tjetri kapiten i ushtrisë serbe? Në vitin 2015, gjahu i përbashkët i VV-së me Serbinë kundër komandantëve të luftës e vuri Kosovën para dy rrugëve të dhimbshme: Themelimi i Gjykatës Speciale nga Kuvendi i Kosovës, ose nga OKB-ja, me gjykatës rusë, kinezë e të tjerë”, shkroi Haxhiu.
Tutje, sipas Haxhiut, e vërteta është se Kurti dhe VV-ja asnjëherë nuk kanë qenë kundër Gjykatës Speciale, por sipas tij, kanë bërë gjithçka që ajo të mos themelohet nga Kosova, por nga OKB-ja.