Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka ndarë një rrëfim prekës për takimin dhe ndarjen e fundit me babanë e tij, duke e cilësuar gjithë përvojën si të pabesueshme për një shtet evropian në kohët moderne.
Thaçi në intervistën ekskluzive në “Adresa ” me Arben Ahmetin në Kanal 10, ka thënë se gjatë kthimit në Prishtinë për t’i dhënë lamtumirën e fundit babait të tij, nuk mund ta besonte se një situatë e tillë po ndodhte në Evropën e shekullit XXI.
“Duke u kthyer në Prishtinë, për t’i thënë lamtumirë babait, nuk mund të imagjinoja se një gjë e tillë mund të ndodhte në shekullin XXI, në kontinentin evropian, ku e drejta bazë njerëzore po trajtohej si çështje konspirative, paragjykuese apo teknike”, ka shkruar Thaçi.
Ai ka krahasuar përvojën e tij me rrëfimet historike të figurave botërore që kishin kaluar izolim dhe padrejtësi politike.
“Fenomene të tilla kisha memorizuar edhe nga kujtimet e nobelistit Aleksandr Solzhenitsyn në ish-BRSS, si dhe nga jeta sfiduese e Nelson Mandela në ishullin Robben gjatë përballjes me aparteidin në Afrikën e Jugut”, është shprehur ai.
