Kryeshefi ekzekutiv i KEK-ut, Gramos Hashani, ka zhvilluar një takim të veçantë me grupin e inxhinierëve të rinj të angazhuar në Termocentralin “Kosova A”, duke konfirmuar përkushtimin e tij të drejtpërdrejtë për fuqizimin e kuadrove të reja profesionale dhe ndërtimin e gjeneratës së ardhshme të ekspertëve të sektorit energjetik.
Takimi u zhvillua në kuadër të prioriteteve strategjike të KEK-ut për ripërtëritjen e stafit tekniko-profesional, në një kohë kur Korporata përballet me pensionimin e rreth 200 punonjësve çdo vit. Për këtë arsye, KEK ka ndërmarrë hapa konkretë për zhvillimin dhe integrimin e profesionistëve të rinj, duke rekrutuar 41 inxhinierë në profilet: Mirëmbajtje Elektrike – Mirëmbajtje, Rregullim dhe Komandim (MRRK), Mirëmbajtje Mekanike, Inxhiniering dhe Menaxhim të Projekteve, si dhe Gjeodezi Inxhinierike.
Gjatë bashkëbisedimit me inxhinierët e rinj, Hashani shprehu mbështetjen e tij të plotë për zhvillimin profesional të tyre dhe theksoi se dera e menaxhmentit të KEK-ut do të jetë gjithmonë e hapur për bashkëpunim, komunikim dhe mbështetje profesionale.
“KEK-u ka nevojë për energjinë, dijen dhe profesionalizmin tuaj. Ju jeni gjenerata që do ta bartë barrën e zhvillimit dhe modernizimit të sektorit energjetik të Kosovës në vitet që vijnë,” theksoi Hashani.
