Për të shënuar përfundimin e fushatës #16DitëtEaktivizmit kundër dhunës me bazë gjinore, ambasadori britanik në Kosovë, Jonathan Hargreaves, ka bashkuar sot përfaqësuesit e komuniteteve kryesore fetare në vend për nënshkrimin e një Deklarate të Përbashkët historike për Dhunën me Bazë Gjinore dhe Dinjitetin Njerëzor.
Në takim morën pjesë udhëheqës nga Bashkësia Islame e Kosovës, Kisha Ortodokse Serbe, Kisha Katolike, komuniteti hebre dhe Kisha Protestante Ungjillore, të cilët vendosën të dërgojnë një mesazh të përbashkët kundër dhunës.
“Me nënshkrimin e kësaj Deklarate të Përbashkët, duke folur hapur kundër dhunës me bazë gjinore, udhëheqësit fetarë të Kosovës kanë dërguar një mesazh të qartë: dhuna nuk ka vend në fe, në familje apo në shoqëri”, tha ambasadori Hargreaves.
Deklarata paraqet një zotim të shkruar dhe publik, një premtim për të mbrojtur më të cenueshmit dhe për të sfiduar normat e dëmshme që ushqejnë dhunën. “Kjo është një deklaratë e shpresës: se udhëheqësit fetarë të Kosovës po thonë ‘mjaft’ dhunës me bazë gjinore”, thuhet më tej në njoftim.
