Qyteti i Fierit në Shqipëri, ka hapur zyrtarisht sezonin turistik, duke shënuar nisjen e aktiviteteve verore që do të zgjasin gjatë gjithë fundjavës në bregdetin e Darëzezës, ku u mblodhën qindra vizitorë dhe pushues nga zona të ndryshme.
Sipas mediave në Shqipëri, në kuadër të hapjes së sezonit, në Darëzezë u organizuan një sërë aktivitetesh festive, përfshirë muzikë live, gara me kuaj, aktivitete sportive si dhe ndeshje boksi, duke e kthyer zonën në një qendër të gjallë argëtimi për vizitorët, transmeton Klankosova.tv.
Sipas autoriteteve lokale, përgjatë gjithë vijës bregdetare të Fierit këtë vit do të jenë funksionale gjashtë plazhe publike, të cilat do të monitorohen edhe nga roje bregdetare, me qëllim rritjen e sigurisë për pushuesit.
Vizitorët që zgjodhën Darëzezën gjatë fundjavës vlerësuan pastërtinë e rërës, organizimin e hapësirave dhe çmimet konkurruese, duke e cilësuar zonën si një nga alternativat më të favorshme për pushime.
