Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka kritikuar punën e trupit gjykues në procesin gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Hagë.
Në një panel diskutimi me temën “Kosova pas 16 shtatorit”, Limaj ka shprehur shqetësimin e tij lidhur me mënyrën e zhvillimit të procesit gjyqësor, duke vënë në pikëpyetje paanshmërinë dhe integritetin e trupit gjykues.
Ai ka thënë se në një proces gjyqësor, gjyqtari duhet të jetë neutral dhe të garantojë barazinë e palëve, ndërsa barra e provës i takon prokurorisë.
“Për të akuzuarin nuk ka asgjë më të rëndësishme sesa me pas një trup gjykues përpara I cili jep siguri, siguri që po zbatohet ligji, siguri që është I aftë, që ka integritet. Ajo që unë kam parë në këtë rast është se trupi gjykues në sistemin e drejtësisë çfarë është gjykuar katërshja, barra e provës i takon prokurorisë, ai që të akuzon, gjyqtari është i heshtur, trupi gjykues është i heshtur, ai është neutral, ai balancon, ai dëgjon fakte dhe prova nga palët, mbrojtja në njërën anë dhe prokuroria në anën tjetër. Gjyqtari kurrë nuk merr një rol aktiv ndaj njërës apo tjetrës palë. I predispozuar trupi gjykues më shumë me ru, me mbrojt të drejtën e të akuzuarit se sa me ndihmu prokurorinë në sallë të gjyqit’, ka deklaruar Limaj.
Limaj ka pretenduar se gjatë procesit gjyqësor në Hagë, trupi gjykues ka qenë tepër aktiv në pyetjet ndaj dëshmitarëve, duke e krahasuar këtë me rolin e prokurorisë.“Çfarë kemi parë ne?Në këtë proces gjyqësor, kushdo që ka përcjellë, kemi parë një trup gjykues i cili, për mua ka qenë shokante, që ka qenë dorë e zgjatur, ka qenë aktiv gjatë procesit gjyqësor në marrje, pyetje dhe në vetë procesin e prokurorisë. Janë 74 orë të gjyqtarëve, të cilët kanë bërë pyetje, 74 orë në proces gjyqësor kanë qenë aktiv në procesin gjyqësor, dhe pyetjet e tyre kanë qenë pyetje të prokurorit. Aty ku e ka lënë, ka vazhduar gjyqtari, dyfishin e asaj të prokurorit”, ka deklaruar Limaj.
