Kandidati për kryeministër nga Partia Demokratike e Kosovës, Bedri Hamza ka kritikuar ka kritikuar ashpër qeverisjen aktuale dhe Albin Kurtin, duke e akuzuar për mungesë të stabilitetit politik dhe përkeqësim të gjendjes ekonomike në vend. Për zgjedhjet e 7 qershorit ai ka thënë se është i sigurt se nuk kishte nevoje për to.
“Ata që kanë pasur përgjegjësinë për t’i dhënë vendit institucione dhe stabilitet nuk e kanë bërë këtë. Mund të konstatoj se Kosova është në krizë politike, ekonomike, institucionale dhe të rezultateve, dhe adresa e kësaj është Albin Kurti. Po të kishte dashur Albin Kurti, vendi do të kishte institucione dhe stabilitet. Mungesa e stabilitetit politik është duke e dëmtuar zhvillimin ekonomik. Vendi po përballet me rritje enorme të çmimeve, shumica e artikujve bazë janë bërë më të shtrenjtë se në Gjermani dhe Zvicër, ndërsa të ardhurat, pagat dhe pensionet kanë mbetur të njëjta. Standardi i qytetarëve po përkeqësohet. Por ajo që është më e rëndësishme është se partia në pushtet dhe Kurti e kanë qëllim vetëm që vetë të jenë mirë, ndërsa si është vendi nuk ka më rëndësi”, tha Hamza në RTV21.
Ai e ka akuzuar kryeministrin në detyrë të Kosovës, Albin Kurtin se po e çon vendin drejt zgjedhjeve të reja me qëllim politik, dhe për të vazhduar “kapjen e institucioneve të shtetit”.
Hamza tha se situata politike dhe institucionale në Kosovë është krijuar me vetëdije nga pushteti aktual, ndërsa ngriti shqetësime edhe për sistemin e drejtësisë dhe sigurinë në vend.
“Ai e ka pasur qëllim të tij me e prodhu këtë situatë. Njëra prej arsyeve, përveç tjerave, po shihet vazhdimi i kapjes së institucioneve, institucioneve jetike për shtetin. Këto ditë kemi me pa çka do të ndodhë me kryeprokurorin e shtetit. Nëse ky vend e humb edhe sistemin e drejtësisë, atëherë pasiguria në këtë vend vetëm rritet”, tha Hamza.
