Gjykata Themelore në Pejë ka caktuar masën e paraburgimit prej 30-ditësh për Mahmut Hoxhajn, të dyshuarin për tentimvrasjen e Basri Gashit dhe Alfred Ukajt. Vendimi është marrë në seancën ku është mbajtur në Spitalin e Përgjithshëm në Pejë, për shkak të gjendjes së rënduar të të dyshuarit.
Prokuroria në Pejë, në dosjen të cilën e ka siguruar Gazeta Insajderi, specifikon edhe numrin e rasteve të të dyshuarit për tentimvrasje. Sipas dosjes, bazuar në databazën e Policisë së Kosovës, Hoxhaj rezulton të jetë i përfshirë në 43 raste penale.
“Kësaj duhet shtuar edhe faktin se bazuar në informacionet e personit Mahmut Hoxhaj, i cili nga data baza e Policisë së Kosovës rezulton të jetë i përfshirë në 43 raste penale, prej të cilave si i dyshuar në 25 raste të ndryshme”, thuhet ndër të tjera në arsyetimin për caktimin e masës së paraburgimit.
Prokuroria tutje shton se i dyshuari kishte planifikuar arratisjen pas sulmit, meqë kishte lënë veturën ndezur para kryerjes së veprës së dyshuar penale.
“Po ashtu duke e pasur parasysh faktin se i njëjti kishte planifikuar arratisjen e tij pas kryerjes së veprës penale duke e lënë veturën e ndezur me qëllim të arratiset, mirëpo si rezultat i reagimit me kohë të zyrtarëve policor i njëjti është arrestuar në flagrancë gjatë kryerjes së veprës penale”, thuhet në dosje.

