Fadil Hadergjonaj, nga Lidhja Demokratike e Kosovës, ka reaguar për zhvillimet e fundit në këtë parti, ku dy degë të këtij subjekti, kanë kërkuar dorëheqjen e kryetarit të saj, Lumir Abixhikut, duke vlerësuar se, LDK’ja, ‘’ nuk e ka luksin të merret me përçarje të brendshme apo me beteja personale’’.
Ai, ka thënë edhe se, tani, nuk është koha për ndarje, por për bashkim rreth vlerave që e kanë bërë ‘’LDK-në shtyllë të shtetformimit dhe demokracisë në Kosovë.’’.
‘’LDK-ja do të vazhdojë të ruajë dhe të mbrojë vlerat e saj burimore. Do të mbetet zëri i arsyes, i dialogut, i shtetit dhe i interesit kombëtar. Sepse Kosova ka nevojë për një LDK të fortë, të bashkuar dhe të mençur, që mbi çdo interes individual vendos interesin e qytetarëve dhe të Republikës’’, thuhet mes tjerash në postimin e Hadergjonajt.
Postimi:
Të dashur simpazantë, votues dhe struktura të LDK-së,
LDK-ja sot ka nevojë për reflektim të thellë, jo për fajësime; për unitet, jo për ndarje; për urtësi, maturi e mençuri, jo për përplasje të panevojshme.
Në një kohë kur Kosova tash e sa vite po lëngon nga kriza politike, polarizimi shoqëror, stagnimi institucional dhe mungesa e perspektivës së qartë zhvillimore, LDK-ja nuk e ka luksin të merret me përçarje të brendshme apo me beteja personale. Përkundrazi, ka obligim ndaj historisë së saj, ndaj anëtarësisë dhe ndaj qytetarëve që të jetë e bashkuar, e përgjegjshme dhe e gatshme të ofrojë zgjidhje.
Kosova po përballet prej vitesh me këtë “mortajë” politike që ka dobësuar institucionet, ka zbehur besimin qytetar dhe ka ngadalësuar zhvillimin e vendit. Në rrethana të tilla, çdo energji duhet të orientohet drejt forcimit të LDK-së dhe rolit të saj në shërbim të shtetit, e jo drejt thellimit të dallimeve ndërmjet nesh.
