Franca është një nga partnerët kryesorë të Kosovës në mbështetjen e perspektivës evropiane të vendit.
Vizita në Kosovë e ministrit të Deleguar të Francës për Çështjet Evropiane, Benjamin Haddad, përbën një moment të rëndësishëm si për rajonin, ashtu edhe për të ardhmen evropiane të Ballkanit Perëndimor.
Në një intervistë për RTK-në, ministri flet për rezultatet e vizitës së tij në Kosovë dhe çështjet kryesore të diskutuara gjatë qëndrimit në vend.
RTK: Zoti ministër, vizita juaj në Kosovë po përfundon. Cili është vlerësimi juaj i përgjithshëm për takimet që keni zhvilluar dhe cili është mesazhi kryesor që po merrni me vete nga kjo vizitë?
Benjamin Haddad: Mesazhi që solla në Kosovë është një mesazh miqësie. Kombet tona kanë qëndruar pranë njëra-tjetrës që nga fillimi. Ne ishim këtu në vitin 1999 dhe ishim këtu edhe në vitin 2008 për të mbështetur, që në fazat e para, pavarësinë e Kosovës. Tani po përgatitemi së bashku për të ardhmen e Evropës.
Kam ardhur për të thelluar bashkëpunimin dypalësh në të gjitha fushat. Dje nënshkruam pesë marrëveshje ambicioze me Qeverinë e Kosovës, që përfshijnë bashkëpunimin në drejtësi, kulturë dhe arsim, si dhe promovimin e gjuhës frënge në Kosovë. Sot ndodhemi në Institutin Francez, ku shumë të rinj kosovarë vijnë për të lexuar dhe për të mësuar gjuhën frënge.
Gjithashtu, nënshkruam dy marrëveshje për të mbështetur Kosovën në organizimin e Lojërave Mesdhetare 2030, përfshirë një kredi prej 60 milionë eurosh nga Agjencia Franceze për Zhvillim për rinovimin e infrastrukturës sportive dhe rinore në funksion të përgatitjeve për këto lojëra.
Kjo i shtohet një programi tjetër zhvillimor prej 80 milionë eurosh nga e njëjta agjenci, i cili mbështet tranzicionin energjetik. Këto marrëveshje hapin rrugën për projekte edhe më ambicioze në muajt që vijnë.
Më 17 mars, kryeministri Kurti zhvilloi një drekë pune me Presidentin Macron në Paris. Vizita ime është vazhdimësi e atij takimi dhe është një dëshmi e angazhimit të Francës ndaj Kosovës, por edhe ndaj Ballkanit Perëndimor në tërësi, një rajon me rëndësi strategjike për ribashkimin e kontinentit tonë evropian.
RTK: Franca e ka mbështetur vazhdimisht perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor. Si e shihni Kosovën sot në rrugën e saj drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian?
Benjamin Haddad: Së pari, dua të theksoj se integrimi i Ballkanit Perëndimor është me rëndësi jetike për Evropën. Nëse synojmë ribashkimin e kontinentit tonë dhe garantimin e paqes e stabilitetit, nuk mund të lëmë asnjë pjesë të tij jashtë këtij procesi.
Megjithatë, duhet të jemi shumë të qartë: procesi i zgjerimit bazohet në meritë. Kjo do të thotë se çdo vend duhet të zbatojë reforma, të forcojë sundimin e ligjit, të harmonizojë legjislacionin e tij me acquis communautaire, pra me legjislacionin e Bashkimit Evropian, si dhe të respektojë angazhimet ndërkombëtare që ka marrë përsipër.
Po, unë mbështes perspektivën evropiane të Kosovës dhe ky është një qëndrim i qartë i Qeverisë franceze.
Ky proces do të ecë përpara përmes zbatimit të marrëveshjeve, siç është Marrëveshja e Brukselit, në të cilën kemi punuar dhe për zbatimin e së cilës jemi të gatshëm ta mbështesim Kosovën. Po ashtu, do ta ndihmojmë vendin edhe në realizimin e reformave të nevojshme për përafrimin me legjislacionin evropian.
Është një proces kërkues, por njëkohësisht përbën garancinë më të mirë për demokracinë liberale, luftën kundër korrupsionit dhe ndërtimin e një Bashkimi Evropian që mbështetet në bashkëpunim, institucione demokratike, paqe dhe stabilitet.
RTK: Franca kontribuon në sigurinë e Kosovës përmes pjesëmarrjes së saj në KFOR. Si e vlerësoni situatën aktuale të sigurisë në Kosovë dhe në Ballkanin Perëndimor, në dritën e zhvillimeve të sotme gjeopolitike?
