Sot, në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë kanë protestuar disa gra ish-luftëtare të UÇK-së, veterane dhe dëshmitare të historisë, të cilat kanë ngritur zërin në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së. Me mesazhin e qartë se lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) ishte një përpjekje e përbashkët për liri, protestueset theksuan se gjyqi ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit nuk është thjesht një proces individual, por një gjykim ndaj vetë historisë së Kosovës.
Veterania e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Shyhrete Kastrati, ka thënë se ish-krerët e UÇK-së që po gjykohen në Hagë nuk mund të ndahen nga bashkëluftëtarët me të cilët ndanë luftën dhe fatin e Kosovës.
Në fjalimin e saj, Kastrati tha se gratë veterane, bashkëluftëtare dhe dëshmitare të historisë dolën për të kërkuar drejtësi dhe për të dëshmuar se edhe ato ishin pjesë e luftës çlirimtare.
“Ne luftuam bashkë, ne e fituam lirinë bashkë. Sot nuk kemi dalë në shesh vetëm për të kërkuar drejtësi, por edhe për të dëshmuar se edhe ne ishim aty, bashkë me ata të cilët sot po gjykohen dhe po mbahen në Hagë”, tha Kastrati.
Ajo theksoi se gratë ishin pjesë e të gjitha proceseve gjatë luftës, si në aspektin ushtarak, ashtu edhe në atë politik. Sipas saj, ato ishin në frontet e luftës, në spitalet ushtarake në male, në rrugët e Kosovës dhe pranë popullit në ditët më të vështira.




