Hana është 35 vjeçe – jeton e punon në Prishtinë, ka ndërtuar një jetë të qëndrueshme, por nuk ka asnjë pronë në emrin e saj. As nga prindërit. As nga familja e burrit me të cilin jeton. Jo se nuk i takon, por se nuk e ka kërkuar kurrë.
“Jo, nuk e kam kërkuar dhe as që e kërkoj”, thotë ajo e qetë. “Pasuria i takon vëllait. Unë dhe motrat jemi të martuara, kemi shtëpi. Kjo mjafton”.
Hana – identiteti i vërtetë i së cilës është i njohur për redaksinë e Radios Evropa e Lirë – ka tri motra dhe një vëlla.
Prona e prindërve të tyre përfshin një shtëpi me rreth 20 ar tokë në periferi të Prishtinës dhe katër hektarë tokë bujqësore në një fshat të rajonit.
Ligjërisht, ajo ka të drejtë në një pjesë të barabartë, por, në realitet, as që e mendon hisen.
Teka flet për REL-in, madje, heziton edhe të identifikohet, jo për shkak të ligjit, por të familjes.
“Nëse vëllai e kupton se po flas për këtë çështje, ndihet keq”, thotë Hana.
Ajo e pranon se prona është siguri – por një siguri që ka mësuar ta shohë si diçka që nuk i përket.
“Nëse vëllai do të ma jepte vullnetarisht pjesën që më takon, do ta pranoja, sepse prona është siguri financiare, por ndryshe jo”, thotë ajo.
Rasti i Hanës nuk është përjashtim, por gati se rregull, madje edhe te brezi më i ri.
Kur trashëgimia është tabu
Në Kosovë, shumë gra nuk i gëzojnë të drejtat pronësore, jo për shkak të mungesës së ligjit, por për shkak të mentalitetit.
Tradita ende e sheh pronën familjare si trashëgimi të djemve.
Gjatë raportimit, Radio Evropa e Lirë ka hasur shpesh në refuzimin e grave për të folur për këtë temë.
Arsyeja është e njëjtë: trashëgimia nuk diskutohet në familje.
Sipas një raporti të Grupit për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) në Prishtinë, të publikuar në shtator të vitit të kaluar, rreth 45 për qind e grave që përfshihen në procese gjyqësore, heqin dorë nga trashëgimia.
Tërheqja shpesh paraqitet si “vullnetare”, por në realitet është rezultat i presionit shoqëror, frikës nga prishja e marrëdhënieve familjare dhe normave tradicionale që nuk i trajtojnë gratë dhe burrat si të barabartë.
Raporti bazohet në monitorimin e 60 kontesteve pronësore në gjashtë gjykata themelore të Kosovës, që përfshijnë gra dhe komunitete joshumicë.
