Nënkryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Ardian Gola, mbajti sot një fjalë në Konferencën e Kryetarëve të Parlamenteve të BE-së, e cila po mbahet në Kopenhagë, në kuadër të panelit “Qëndrueshmëria demokratike në kohë ndryshimesh”, me fokus: dezinformimi, ndryshimet teknologjike, rënia e besimit në institucione.
Në fjalën e tij nënkryetari Gola tha se qëndrueshmëria demokratike sot nuk ka të bëjë vetëm me mbrojtjen, por edhe me besueshmërinë dhe besueshmëria fillon me besimin. Në këtë drejtim, shtoi ai, mendimi i Jurgen Habermas na jep një kujtesë të rëndësishme: legjitimiteti demokratik nuk mbështetet vetëm te institucionet, por te cilësia e arsyetimit publik që i mbështet ato. Ideja e tij për demokracinë deliberative, nënvizoi Gola, thekson se besimi ndërtohet përmes dialogut të hapur, racional dhe gjithëpërfshirës në sferën publike.
“Për ne si udhëheqës parlamentarë, kjo do të thotë se qëndrueshmëria nuk lidhet vetëm me mbrojtjen e strukturave demokratike, por edhe me kultivimin e një kulture politike ku argumentet mbizotërojnë mbi manipulimin dhe ku qytetarët e gjejnë veten në vendimet e marra në emrin e tyre”, theksoi nënkryetari Ardian Gola.
Ai shtoi se në gjithë rajonin tonë përballemi me presione të përbashkëta, dezinformimin, zhvillimet teknologjike dhe rënien e besimit në institucionet publike.
“Këto sfida ndikojnë drejtpërdrejt në legjitimitetin e punës sonë dhe në besimin që qytetarët vendosin te demokracia përfaqësuese”, shtoi ai.
