Në Gjykatën Themelore në Prishtinë në gjykimin ndaj të akuzuarve Zoran Kostiq dhe Dragan Miloviq, të cilët akuzohen për krime lufte në Kosovë, pas dhënies së mbrojtjes u dha fjala përfundimtare nga palët në procedurë.
Prokurorja Florije Salihu-Shamolli tha se janë vërtetuar veprimet e të akuzuarve. Mbrojtja e Kostiq kërkoi aktgjykim lirues, e ajo e Miloviq tha se i akuzuari kishte shpëtuar 500 persona.
Fjalën përfundimtare e elaboroi para trupit gjykues prokurorja speciale Florije Salihu-Shamolli, të cilën paraprakisht e dorëzoi me shkrim për Gjykatën dhe mbrojtjen, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Prokurorja Salihu-Shamolli tha se në këtë shqyrtim gjyqësor u dëgjuan dëshmitarë dhe u bë prezantimi i provave materiale, ku gjatë gjithë kohës të gjithë dokumentacionin që kishte PSRK-ja, iu dha mundësia të akuzuarve dhe mbrojtjes që të kenë qasje në mënyrë që të përgjigjen dhe të japin mbrojtje efikase.
Për të akuzuarin Miloviq, prokurorja tha se njihej me nofkën “Musa”, ishte i uniformuar, ishte tek varrezat e Vushtrrisë ku ishin grumbulluar një numër i madh i popullatës civile, të cilët ishin ndarë- me qëllim që të identifikoheshin personat e rrezikshëm dhe përkrahës të UÇK-së.
“Ishte një person i njohur me nofkën “Musa”, ai u vesh me uniformë policore para luftës dhe meqenëse fshatrat e Vushtrrisë ishin rrethuar, gjegjësisht po bëhej luftë e pabarabartë ndaj popullatës së pambrojtur civile, që ishin grumbulluar tek varrezat- aty ishte një numër i madh civilësh shqiptarë, kur ndanë gratë veç, e burrat veç për të kërkuar personat e rrezikshëm dhe përkrahës të UÇK-së, në mesin e gjithë personave tjerë ishte edhe i akzuzuari”, tha ndër të tjera prokurorja.
Ndërsa, për të akuzuarin Kostiq, tha se ishte i vendosur në shtëpinë e Shaip Zenelit, ku nga aty merrnin urdhra, e pastaj fillonin aktivitetin kundër popullatës civile shqiptare, duke djegur shtëpi, rrahur, maltretuar dhe vrarë.
“Zorani së bashku me persona tjerë të armatosur dhe uniformuar hyn në familjen Ujkani dhe vranë anëtarët e familjes Ujkani, pastaj dogjën shtëpinë e tyre, ku brenda ishin kufomat e tyre, ku të gjithë u dogjën”, tha prokurorja.
Salihu-Shamolli tha se këtu kishim dëshmitarin Bilall Ujkani, familjar i tyre i cili shumë qartë e tha “Po, Zorani ka qenë aty, unë kam qenë afër 50 metra, e kam pa Zoranin kur ka shku në familjen Ujakni, e kam pa kur ia ka vënë flakën shtëpive dhe pasi ka përfundu ky tmerr jemi bashku disa fshatarë, i kemi mbledhë në qese eshtrat e këtyre personave pa mund të dijmë kush çka është”.
Seanca vazhdon në sesionin e pasditës me dhënien e fjalës përfundimtare nga mbrojtja e të akuzuarve Kostiq dhe Miloviq.



