Përpjekje për të destabilizuar Francën dhe Gjermaninë, si dhe përgatitje të “trazirave masive” para zgjedhjeve në Moldavi.
Këto janë akuzat më të fundit, ku si autorë përmenden shtetas të Serbisë, ndërsa dyshohet se pas tyre qëndrojnë shërbimet ruse.
“Kjo tregon se akuzat që erdhën nga vendet perëndimore, se Serbia është një trampolinë për të ashtuquajturin ndikim malinj të Rusisë, duket se janë të sakta”, thotë Predrag Petroviq, nga Qendra joqeveritare e Beogradit për Politikat e Sigurisë, për Radion Evropa e Lirë.
Në një raport të vitit 2023, Parlamenti Evropian vlerësoi se Rusia përdor ndikimin e saj në Serbi për të destabilizuar dhe ndërhyrë në punët e shteteve fqinje sovrane.
Më herët, në vitin 2019, Departamenti amerikan i Shtetit e përshkroi Serbinë, që është vend kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, si shtetin me “mjedisin më të ndjeshëm” për ndikimin rus në Ballkanin Perëndimor.
“Destabilizimi” në Francë dhe Gjermani
Spiunazhi, diskriminimi fetar dhe kombëtar janë disa nga veprat penale për të cilat dyshohen 11 shtetas të Serbisë nga Prokuroria e Lartë në Smederevë.
Ata u arrestuan më 29 shtator dhe dyshohet se gjatë vitit 2025 kanë shkaktuar disa incidente në Paris dhe Berlin.
Veprimet e tyre përfshijnë hedhjen e bojës jeshile mbi muze të Holokaustit, sinagoga dhe një restorant hebre në Paris, si dhe vendosjen e kokave të derrit pranë objekteve fetare myslimane.
Para Portës së Brandenburgut në Berlin, ata shkruan edhe mesazhe diskriminuese.
Ministria Federale e Brendshme e Gjermanisë i tha Radios Evropa e Lirë se rreziku i “aktiviteteve sabotuese” në vend është rritur dhe se shërbimet e sigurisë po hetojnë rastet, në të cilat ekziston dyshimi se individë të caktuar janë punësuar nga shtete të huaja.
Këta individë, të njohur edhe si “agjentë me profil të ulët” ose “agjentë të përdorur”, shpesh rekrutohen përmes rrjeteve sociale dhe platformave të mesazheve.
Në përgjigjen e ministrisë thuhet, gjithashtu, se policia dhe shërbimet e inteligjencës kanë nisur një fushatë mediatike, që synon të rrisë vetëdijen kundër përpjekjeve të rekrutimit nga shërbimet armiqësore të inteligjencës.
Pas arrestimeve në Smederevë, policia serbe njoftoi se po kërkonte një të dyshuar, i cili, “me udhëzimet e një shërbimi të inteligjencës së huaj”, ka organizuar dhe trajnuar një grup qytetarësh serbë në territorin e Serbisë, për të shkaktuar incidente në Gjermani dhe Francë.
Zyrtarët francezë po hetojnë rolin e Rusisë në këto incidente, duke i përshkruar ato si “operacione destabilizuese” që nxisin “tensione sociale dhe zgjerojnë përçarjet në Francë”.
Megjithatë, Rusia nuk përmendet në deklaratat e Policisë dhe Prokurorisë serbe, dhe autoritetet nuk iu përgjigjën pyetjes së Radios Evropa e Lirë se cili shërbim i inteligjencës së huaj ka nisur trajnimin e qytetarëve serbë.
“Është vështirë të besohet se shërbimet serbe të sigurisë nuk e dinin se kjo po ndodhte, sepse ky nuk është një rast i vetëm, por një seri rastesh të njëjta ose të ngjashme, në të cilat kemi shtetas të huaj që trajnohen për operacione të ndryshme sigurie ose para-sigurie në vende të tjera”, thotë Petroviq.
Përgatitjet për trazira në Moldavi
Rusia dhe Serbia janë lidhur edhe në një tjetër hetim: në Moldavi.
Policia moldaviane publikoi një video më 26 shtator, duke pretenduar se tregonte “kampe ushtarake në Serbi, të organizuara nga shërbimi sekret rus”.
Më shumë se 70 persona u ndaluan në Moldavi në kuadër të hetimeve, dhe shumica e tyre dyshohet se janë trajnuar në Serbi.
Ata akuzohen për përgatitjen e trazirave masive dhe destabilizimin e Moldavisë përpara zgjedhjeve parlamentare, që u mbajtën më 28 shtator.
Partia proevropiane në pushtet e fitoi shumicën në këto zgjedhje, duke mposhtur bindshëm bllokun prorus, dhe votimi u zhvillua pa incidente të mëdha.
Rusia e mohoi ndërhyrjen në procesin zgjedhor, ndërsa Moldavia e akuzoi atë për luftë hibride, duke përfshirë një fushatë dezinformimi dhe financimi të paligjshëm të partive proruse.
Dy ditë para zgjedhjeve në Moldavi, Serbia arrestoi dy persona për organizimin e stërvitjeve taktike luftarake, për përleshje me Policinë moldaviane, në rast të trazirave gjatë ditës së zgjedhjeve.
Sipas policisë, trajnimi u organizua në një objekt ushqimi pranë Lloznicës në Serbinë perëndimore dhe në të morën pjesë 150-170 qytetarë të Moldavisë dhe Rumanisë.
Në deklaratën e policisë nuk u përmend Rusia, ndërsa presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, tha pas arrestimit se Serbia “nuk duhet të jetë një vend stërvitjeje për operacionet e shërbimeve të huaja”.
