Ministri i Jashtëm i Serbisë, Marko Gjuriq, ka vazhduar debatin me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, dhe, kryediplomatin shqiptar, Ferit Hoxhën, lidhur me deklaratën e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, për mundësinë e ndryshimit të rrjedhës së lumit Ibër.
Gjuriq, në postimin e tij, drejtuar Ramës, ka shkruar se, Ibri, buron në Mal të Zi, rrjedh përmes Serbisë e Kosovës, dhe vazhdon përmes pellgut të Danubit drejt Detit të Zi, dhe se, ai nuk hyn kurrë në Shqipëri dhe nuk është pjesë e sistemit lumor të Shqipërisë.
Ministri i Jashtëm serb, ka thënë edhe se, shqetësimet mbi këtë çështje duhet të trajtohen nga palët drejtpërdrejt përmes mekanizmave të përcaktuar, dhe, siç ka shtuar ai, jo përmes deklaratave publike nga kryeqytete që nuk janë pjesë e shteteve breglumore.
Postimi:
Një përpjekje e stërholluar verore për ta ndryshuar temën.
Në fakt, po diskutojmë për lumin Ibër për një arsye të vetme: qeveria e Albin Kurtit po e shfrytëzon këtë verë për të shembur shtëpi të serbëve, pa respektuar procedurat e duhura ligjore, përgjatë brigjeve të liqenit të Gazivodës dhe Ibrit, duke i privuar njerëzit nga prona, qasja dhe mjetet e tyre të jetesës përmes veprimeve që janë qartazi diskriminuese mbi baza etnike.
Ky është realiteti konkret. Gjithçka tjetër është dytësore.
Kryeministri @ediramaal ka shkruar një tekst të gjatë dhe elegant për gjeografinë, historinë dhe vlerat evropiane. Ajo që ai ka zgjedhur të mos trajtojë është shkatërrimi sistematik i pronës së serbëve që po ndodh pikërisht tani.
Meqë është përmendur gjeografia: Ibri buron në Mal të Zi, rrjedh përmes Serbisë, përfshirë Kosovën, dhe vazhdon përmes pellgut të Danubit drejt Detit të Zi. Ai nuk hyn kurrë në Shqipëri dhe nuk është pjesë e sistemit lumor të Shqipërisë.
Ibri është një rrjedhë ujore ndërkufitare, por Shqipëria nuk është shtet breglumor i tij. E drejta ndërkombëtare e ujërave nuk u jep të drejtë shteteve breglumore për të ndërhyrë mbi bazën e afërsisë etnike. Çdo shqetësim legjitim duhet të trajtohet nga palët drejtpërdrejt të interesuara, përmes mekanizmave të përcaktuar dhe mbi bazën e fakteve, jo përmes deklaratave publike nga kryeqytete që nuk janë pjesë e shteteve breglumore.
Qëndrimi i Serbisë për Kosovën nuk është folklor. Ai bazohet në Kushtetutën tonë, në të drejtën ndërkombëtare dhe në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Shqipëria mund të mos pajtohet, por nuk mund ta shpallë në mënyrë të njëanshme çështjen të zgjidhur.
E mirëpres njohjen nga Kryeministri Rama se të drejtat dhe siguria e komunitetit serb kanë rëndësi. Tani presim që kjo njohje të shoqërohet me mbështetje praktike – duke filluar me një thirrje të qartë për t’i dhënë fund shembjes së shtëpive të serbëve dhe veprimeve të ngjashme nga qeveria e Kurtit, si dhe për themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, një detyrim që ende nuk është përmbushur.
Më lejoni t’i sugjeroj me respekt Kryeministrit Rama dhe Ministres @HoxhaFer që, ndonëse interesante, ta lëmë pas diplomacinë përmes altoparlantëve. Dyert dhe linjat tona telefonike mbeten të hapura. Njerëzit tanë meritojnë seriozisht më pak shkëmbime deklaratash dhe më shumë shembuj konkretë se çfarë mund të arrijnë së bashku serbët dhe shqiptarët.
P.S. Ky i gjithë shkëmbim deklaratash nuk është aspak befasues. Le t’i befasojmë të gjithë në mënyrë pozitive duke gjetur më shumë mënyra për të punuar përtej dallimeve tona.