Tash e sa kohë Policia e Kosovës me njësitë e saj inteligjente, po vazhdon të zbulojë dhe konfiskojë armë ilegale në Mitrovicë të Veriut, të cilat dyshohet se ishin fshehur nga grupe kriminale me qëllim destabilizimin e zonës. Identifikimi dhe konfiskimi i këtyre armëve po realizohet falë bashkëpunimit të qytetarëve që jetojnë në atë pjesë, duke ndihmuar forcat e sigurisë të heqin nga qarkullimi arsenale të rrezikshme dhe ta sigurojnë rendin publik.
Nuk janë të rralla rastet kur Policia e Kosovës zbulon dhe konfiskon arsenale armësh në veriun e Mitrovicës. Gjatë aksioneve të ndryshme policore, janë gjetur dhe konfiskuar armë të gjata, fishekë të kalibrave të ndryshëm, karikatorë, granata dore tymuese, antiplumba ushtarakë si dhe veshje ushtarake.
Zëvendës drejtori i policisë së Kosovës për rajonin e Veriut, Veton Elshani ka deklaruar për RTK, se armatimi i gjetur në këtë pjesë është armë e fshehur nga grupe kriminale në të kaluarën, me qëllim të destabilizimit të situatës së sigurisë.
