Wesley Clark, ish-Komandanti i Aleancës më të fuqishme ushtarake që ka njohur bota, NATO-s, gjatë kohës së luftës në Kosovë, është konfirmuar edhe zyrtarisht si dëshmitar i mbrojtjes në gjyqin kundër ish-krerëve të UÇK-së në Hagë.
Ish-gjenerali amerikan që udhëhoqi fushatën 78 ditorëshe të bombardimeve kundër çarqeve të ushtrisë dhe policisë serbe që po kryenin gjenocid ndaj shqiptarëve të Kosovës, është dëshmitari më i rëndësishëm që mbrojtja e ish-Presidentit Hashim Thaçi e ka sjellë në Hagë deri më tani për të dëshmuar në favor të ish-udhëheqësit të Drejtorisë Politike të UÇK-së.
Clark ishte aktori kryesor në ndërhyrjen e NATO-s për ta larguar regjimin e Serbisë nga Kosova. Pikërisht për këtë arsye, dëshmia e tij konsiderohet se do ta sfidojë fuqishëm narrativen e Prokurorisë së Hagës për “Ndërmarrje të Përbashkët Kriminale”. Sepse, nëse UÇK-ja do të ishte një organizatë kriminale, siç pretendon Prokuroria, atëherë vetë NATO – e cila bashkërendonte veprimet me të – do të duhej të akuzohej për të njëjtin “krim”. Clark pritet t’ia rikujtojë Hagës se ajo që po tenton ta kriminalizojë sot, ishte partneri i saj i djeshëm në një luftë të drejtë për çlirim.
Ish-ushtaraku amerikan është dëshmitari i pestë me radhë i mbrojtjes në gjyqin ndaj ish-krerëve të UÇK-së. I pari që dëshmoi ishte ish-ndihmëssekretari Amerikan i Shtetit gjatë kohës së luftës në Kosovë, James Rubin.
