Organizata “Ta Pastrojmë Kosovën” ka ngritur shqetësimin për gjendjen e rënduar mjedisore në afërsi të digës së Liqenit të Badovcit, duke publikuar pamje që, sipas saj, dëshmojnë rikthimin e mbeturinave në një nga zonat më të rëndësishme ujore të vendit.
Sipas reagimit të organizatës, zona pranë liqenit është shndërruar sërish në vendgrumbullim mbeturinash, vetëm pak muaj pasi aty ishte organizuar një aksion i gjerë pastrimi në Ditën Botërore të Ujit, më 22 mars.
Ata bëjnë të ditur se në atë aksion morën pjesë vullnetarë, institucione, organizata, media dhe qytetarë, ndërsa u larguan sasi të mëdha mbeturinash. Megjithatë, gjendja aktuale tregon se problemi vazhdon të përsëritet.
“Ndotja nuk zgjidhet vetëm me aksione vullnetare. Pa masa konkrete nga institucionet përgjegjëse, ajo do të vazhdojë të rikthehet”, thuhet në reagim.
