Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë ndaj 12 personave për veprat penale: “Pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar, lidhur me veprat penale “Mashtrimi” dhe “Shmangia nga tatimi”, “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, “Falsifikimi i parasë”, “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm” dhe “Shpëlarja e parave”.
“ Të pandehurit F.M., F.M., K.V., F.V., S.K., N.B., D.M., A.M., M.M., N.M., G.Q. dhe S.M. kanë vepruar në bashkëpunim gjatë periudhës nga janari i vitit 2021 deri në dhjetor të vitit 2025, përmes një skeme mashtrimi që përfshinte importimin e derivateve të naftës, përdorimin e autoboteve të modifikuara, faturimin e transaksioneve të dyshuara fiktive, si dhe deklarimin e pasaktë të qarkullimit dhe të detyrimeve tatimore, duke i ka shkaktuar buxhetit të shtetit dëm në vlerë prej 4,637,893.69 eurosh”, thuhet në njoftim.
Sipas aktakuzës, F.M dhe F.M, ku i pandehuri F.M është kujdesur për krijimin e një rrjeti bashkëpunëtorësh brenda territorit të Kosovës dhe me shtetas shqiptarë, duke blerë derivatet e naftës nga “G.O.G.” SH.A, në Shqipëri, me qëllim importimin e tyre në Kosovë, ku gjatë rrugës drejt Kosovës, mjetet transportuese, në shumicën e rasteve, dyshohet se janë zëvendësuar me mjete të tjera të modifikuara, të cilat mbusheshin me ujë deri në 90 për qind të kapacitetit të tyre. Pjesa e derivateve të naftës, ndërkohë, mbetej për t’u shitur në territorin e Shqipërisë.
Të pandehurit F.K dhe K. V., sipas aktakuzës, kanë bashkëpunuar në skemën e importimit dhe deklarimit të derivateve të naftës, përfshirë deklarimin e sasive të ujit si naftë dhe lëshimin e faturave për mallra që pretendohet se nuk kanë ekzistuar dhe shmangies nga tatimi përmes bizneseve “E. P.” SH.P.K. dhe “K. O.” SH.P.K.
Ndërkaq, S. K. dyshohet se ka bashkëpunuar me persona të tjerë përmes biznesit “E. P.” SH.P.K., duke siguruar, lëshuar dhe pranuar fatura të dyshuara fiktive për blerjen dhe shitjen e derivateve të naftës, me qëllim të zvogëlimit të detyrimeve tatimore.
Sipas aktakuzës, N. B. dyshohet se, përmes biznesit “S.” SH.P.K., ka siguruar dhe lëshuar fatura për transaksione të dyshuara fiktive, si dhe ka deklaruar blerje të derivateve të naftës që pretendohet se nuk kanë ekzistuar.
