Ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të fundit të presidentit të Serbisë, duke paralajmëruar se veprimet e Beogradit janë pasqyrim i drejtpërdrejtë i synimeve të Rusisë në rajon.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Gërvalla shkruan se historia ka treguar se për të kuptuar ambiciet ruse në Ballkan mjafton të analizohen veprimet e Serbisë, e cila sipas saj, nuk ka një politikë të jashtme të pavarur nga Moska.
“Serbia nuk ka një politikë të jashtme të vetën, të ndryshme nga ajo e Moskës. Dje, presidenti i Serbisë e shpalli ‘të vdekur’ rendin botëror dhe paralajmëroi dyfishimin e ushtrisë. Mesazhi është i qartë – për Rusinë dhe i ardhur nga Rusia”, ka shkruar Gërvalla.
